Suharekë, arrestohet një grup hajnash

Pas një pune intensive të kryer nga njësitë hetimore të Policisë së Kosovës është arritur të zbulohen dhe pastaj të arrestohen dy femra dhe një mashkull, të cilët kanë kryer një seri vjedhjesh të rënda në rajonin e Suharekës.
Zyra për informim e Policisë bëri të ditur se nën dyshimin se gjatë këtij viti kanë kryer një seri vjedhjesh edhe janë arrestuar dy femra, S.Z (37 vjeçe), A.Z (27 vjeçe), si dhe një mashkull A.Z (39 vjeçar).
Me urdhër te Prokurorit Publik, njësitë policore i kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarve, me ç’rast janë gjetur sasi të mëdha të gjërave të vjedhura, të cilat në bazë të përshkrimit dyshohet se ishin vjedhur në shumë shtëpi të fshatit Gjinoc.
“Policia gjatë bastisjes ka gjetur edhe pistoletë me gas, model Kimar kal. 8 mm prodhim italian nr.serik B.02 me dy karikatorë dhe tre fishekë të kal. 8mm. Po ashtu janë gjetur edhe rreth treqind gjëra, si gjenerator, sharra motorike, kabllo elektrike të ndryshme, TV, tepi, perde, vegla pune, vegla kuzhine shtëpiake dhe shumë gjëra tjera me vlerë”, thuhet në komunikatën e policisë, transmeton KP.
Lidhur me rastin në fjalë, policia ka kontaktuar Prokurorin Publik në Prizren, i cili për të dyshuarit ka urdhëruar masën e ndalimit policor prej 48 orësh. Rasti është nen hetime dhe posa të kompletohet do t’i kalojë Prokurorisë Publike kompetente.