Krasniqi: Numri i ministrive, shumë i madh

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, konfirmoi se Kuvendi i Kosovës dhe ai personalisht ende nuk kanë marrë nga delegacioni i Kosovës platformën e bisedimeve të deritanishme me Serbinë.
Në një intervistë për RTV21, Krasniqi tha se Kuvendi i Kosovës ka marrë vesh për përmbajtjen e bisedimeve me Serbinë nga deklaratat e herëpashershme të zyrtarëve të qeverisë.
Ai tha se kopjet e dokumenteve të regjistrit civil dhe të kadastrit për të cilat thuhet se Beogradi do t’i dorëzojë Kosovës si rezultatet i bisedimeve, nuk janë valide.
“Kopjet nuk janë dokumente valide, ato janë kopje dhe validiteti i tyre varet nga origjinaliteti”, tha kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Ai tha se temat të cilat mund të bisedohen me Serbinë nuk mund të tejkalojnë kornizat e rezolutës së miratuar në Kuvend dhe Kushtetutës së Kosovës, duke precizuar se veriu i vendit nuk mund të jetë temë e këtyre bisedimeve.
Duke folur për përbërjen e Qeverisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se mendon se numri i ministrive është shumë i madh dhe shtoi se pret që kjo të rregullohet me Kushtetutën e Kosovës, e cila pritet të pësoj ndryshime edhe në këtë çështje.
“Gjithmonë kam thënë se gjithkund ku ka shumë njerëz punohet më pak. Mendoj se qeveria ka shumë ministri”, tha Krasniqi.
Në intervistën e dhënë për emisionin “Argument Plus” të RTV21, Jakup Krasniqi, flet edhe për ndërprerjen e marrëveshjes me FMN-së, duke theksuar se kjo çështje kryekëput bie mbi qeverinë, pasi sipas tij, Kuvendi i Kosovës nuk ka qenë palë e negociatave me FMN-në.
Sa i përket miratimit të ligjeve, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, tha se, Kuvendi është duke e kryer punën e vet dhe se nuk qëndron prapa me kohë.
“Kuvendi është i varur nga qeveria se sa draftligje i sjell ajo. Ne e kryejmë punën kur ato sillen tek ne”, tha Krasniqi.
Duke folur për marrëdhëniet e tij me kryeministrin Hashim Thaçi, kryetari i parlamentit Jakup Krasniqi tha se me të ka takime të rregullta për çështje që duhet diskutuar mes institucioneve, por përmendi edhe një herë çështjen e mënyrës së zgjedhjes së presidentit. Ai tha se mendon ende që gjatë atij procesi disa procedura të rregullta janë tejkaluar.
Duke folur për situatën brenda partisë që ai i takon, Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se, mendimi i tij është se ajo si dhe partitë e tjera politike, ende vuajnë ngapak nga mendësia e totalitarizmit për shkak të së kaluarës totalitare në të cilën ka kaluar shoqëria kosovare.
“Mendoj se brenda partisë politike duhet të hapet dialogu i mirëfilltë, qoftë ai edhe i tensionuar, në mënyrë që demokracia të zhvillohet” tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. /rtv21/