Shtohet numri i grevistëve

Rreth 300 veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Kaçaniku, Podujeva, Skenderaj, Vushtrria, Mushtishti e nga vende tjera të Kosovës, i janë bashkangjitur grevës së organizuar tash e tetëmbëdhjetë ditë nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve së UÇK-së, duke kërkuar miratimin e Ligjit për vlerat e luftës.
Veterani Selim Rrahmani, i cili nga qyteza e Kaçanikut kishte ardhur së bashku me njëqind bashkëluftëtarë për t`iu bashkangjitur grevës, tha se disa nga luftëtarët e UÇK-së kanë siguruar pozicionet dhe për veteranët nuk brengosen, ndërkohë që sipas tij Parlamenti nuk po gjen vend të aprovojë Ligjin për vlerat e luftës.
“Boll kemi pritur që 12 vjet. Boll kemi pasur premtime, premtime të kota, premtime të rrejshme. Shokët, të cilët kanë qenë së bashku bashkëluftëtarë me neve, ata i kanë siguruar pozicionet e tyre, fotelet e tyre, për veteranët nuk mbajnë kurrfarë gajle kurrfarë përgjegjësie, veteranët tanë janë duke vdekur nga uria, nuk kanë kurrfarë jete të ekzistencës, ndihmë kërkah nuk kanë. Më vjen keq, kur në Parlamentin e Kosovës është aprovuar Ligji për homoseksualet, kurse ligji i veteranëve të luftës nuk gjen vend për aprovim”, tha ai.
Ndërkohë që kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi i ka bërë thirrje Qeverisë dhe Parlamentit, që sa më parë ta miratojë këtë ligj, në të kundërtën ai tha se do t’i grumbullojë të gjithë veteranët në Prishtinë.
“Ne jemi të vendosur. Unë iu kisha bërë apel, duke filluar nga Qeveria dhe Parlamenti, edhe deputetët e Parlamentit të Kosovës, që ta miratojnë Ligjin për vlerat e luftës sa më shpejt, që të mos iu bëjmë apel bashkëluftëtarëve tanë që të grumbullohen në Prishtinë dhe të mos lëvizin nga këtu, për arsye se e kemi përkrahjen nga gjithë Kosova”, tha Qeriqi.
Sipas tij nga greva e mbajtur në vitin 2009, që kishte kërkesat e njëjta, ka pasur premtime se Ligji për vlerat e luftës do të miratohet brenda dy muajve dhe kjo nuk është arritur, kështu që veteranët nuk besojnë në deklaratat e dhëna që Ligji do të miratohet brenda pak muajsh.
Grevistët kërkojnë që urgjentisht të miratohet në Parlament Ligji për vlerat e luftës. UÇK-së dhe luftës së saj t’i bëhet njohja politike, duke e bërë atë kategori kushtetuese. Veteranët e luftës, invalidët dhe familjet e dëshmorëve, të kenë trajtim nga Ministria e Mbrojtjes dhe jo nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Që veteranët dhe invalidët e luftës të kenë imunitet dhe mos të kenë ndjekje penale për krime lufte./kosovapress/