Rigjykimi i Haradinajt do të fillojë më 18 gusht

Seanca dëgjimore e radhës të rigjykimit të ish-kryeministrit dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj dhe Lahi Brahimajt e Idriz Balajt, të tre ish luftëtarë të UÇ-së do të mbahet më 17 gusht, të këtij viti, ndërsa më 18 gusht pritet të fillojë rigjykimi, ka vendosur të enjten trupi gjykues i Tribunalit të Hagës. Kurse mbrojtja ka kërkuar që të kryhet sa më shpejt rigjykimi ndaj akuzuarve.
“Më 16 qershor mbrojtja duhet të paraqes dhe të ja jap Prokurorisë listën e dëshmitarëve, me qëllim që t’ia mundësojë Prokurorisë, të bëjë mocion në seancën e 30 qershorit”, është thënë në Tribunalin e Hagës, gjatë seancës dëgjimore të rigjykimit të ish-kryeministrit dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Sikurse dihet Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm më 3 prill të vitit 2008 nga trupi gjykues, por ndaj tij, Lahoi Brahimajt dhe Idriz Balajt, me kërkesë të prokurorisë së Tribunali, Gjykata ka ngritur kallzim penal për gjykim të pjesshëm.
Haradinaj ishte vetëdorëzuar në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në mars të 2005-të dhe është liruar më 3 Prill 2008, për mungesë provash. Në Korrik të vitit 2010 ai u ndal prapë në Hagë për rigjykim të pjesshëm, pas ankesës së prokurorisë lidhur me vendimin e 3 prillit 2008 për lirimin e Ramush Haradinajt.
Në shkurt të vitit 2011 Haradinaj ka dorëzuar imunitetin e tij si parlamentar i Kosovës për t’iu nënshtruar gjykimit të Gjykatës së Hagës.
Haradinaj mbahet në Hagë nën dyshimin se ka qenë i përfshirë në krime lufte në Kosovë. Ndërsa në Kosovë vazhdimisht janë organizuar protesta dhe tubime të ndryshme, ku është shprehur pafajësia e Haradinajt dhe është kërkuar lirimi i tij./kosovapress/