E Diel, 1 Nëntor 2026

“Suksese në Kampionatin Europian të Basketbollit, mbështetja ndaj sporteve në vëmendjen e qeverisë”

Kryeministri Sali Berisha pret ekipin kombëtar të basketbollit të meshkujve

Kryeministri Sali Berisha priti mesditën e djeshme ekipin kombëtar të basketbollit të meshkujve në prag te ndeshjes për eliminatoret e kampionatit europian të basketbollit.
Kryeministri Berisha duke shprehur kënaqësinë e këtij takimi i uroi suksese ekipit tonë kombëtar për ndeshjen me shpresën që kjo ndeshje të jetë një start i mirë për ndeshjet në vazhdim.
Përfaqësuesit e ekipit kombëtar e falënderuan kryeministrin Berisha për këtë pritje të ngrohtë dhe u shprehën se do të bëjnë më të mirën për ta përfaqësuar denjësisht basketbollin shqiptar dhe për të arritur rezultate të mira.
Kapiteni i ekipit i bëri një prezantim të shkurtër anëtareve të tij duke bërë të njohur se një pjesë e konsiderueshme e ekipit janë pasardhës të emrave të njohur të basketbollit shqiptar.
Kryeministri shprehu besimin se ekipi ynë kombëtar i basketbollit do të dije të japë vlerat më të mira dhe traditën e këtij sporti në Shqipëri.
"Kam besimin që në këtë kampionat do të shënoni arritje të mëdha. Mënyra serioze me të cilën keni punuar, kombinimi i skuadrës, stërvitja rigoroze janë prerogativa për të pasur sukses", u shpreh kryeministri Sali Berisha.
Kryeministri siguroi se mbështetja ndaj sporteve është në vëmendjen e qeverisë dhe për këtë, u shpreh kryeministri Berisha, i kam kërkuar vazhdimisht Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve një vëmendje konstante për zhvillimin e sportit në përgjithësi.
Në përfundim të takimit ekipi kombëtar i basketbollit i dhuroi kryeministrit flamurin e federatës shqiptare të basketbollit dhe një bluze të ekipit tonë kombëtar si dhe një top basketbolli me firmat e të gjithë pjesëtarëve të ekipit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›