Shtatori, një afat që nuk duhet kapërcyer, për të nisur ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Deklaron Sabri Godo
Shtatori është një afat që nuk duhet kapërcyer, sipas republikanëve për të nisur ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Si penalizuesi i partive të vogla, ligji i zgjedhjeve duhet tjetërsuar patjetër, për pranverën e 2011, shprehet Sabri Godo.
“Logjikisht më duket më se e nevojshme që këto forca politike për mua duhet të jenë të pranishme në parlament. Duhet të kemi 7-8 parti që të kenë një numër 10-15 për qind të votave në Parlament dhe kjo bëhet duke korrektuar këtë Kod Elektoral që kemi në fuqi”, thotë politikani Sabri Godo.
Por ajo që është me e rëndësishme për politikanin republikan, është përfshirja e partive të vogla dhe në hartimin e Kodit të ri, për të mos ia lënë si tradicionalisht reformën zgjedhore, sipas tij vullnetit të PD- PS.
“është një nevojë imediate që në shtator, me hapjen e parlamentit dhe të stinës politike duhet të niset me këtë gjë, me rishqyrtimin e Kodit dhe ligjit elektoral”, vijon Godo.
Edhe më herët, kryetarët e partive të vogla kanë kërkuar që të mos përjashtohen nga ndryshimi i kodit dhe që komisioni i reformës zgjedhore të mos jetë më bipartizan.