E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja veç me një linjë opozite; marrjen e rolit të një prokurorie politike

Fundjava e parë e gushtit e gjen Tiranën të boshatisur. Kryeqytetasit u janë drejtuar destinacioneve të tyre të preferuara për të kaluar këto ditë të nxehta. Mirëpo jo të gjithë i kanë braktisur shtëpitë e tyre. Këtë e konstaton në shtëpinë socialiste, pas Bankës së Shqipërisë, ku kulla rozë nuk e braktis qendrën e zërit të popullit të saj.
Podiumi socialist luan lojën rutinore hypa-zdrypa. Kësisoj rutina e konferencave për shtyp nuk është vetëm me deputetë, por edhe me hartimin e akuzave jakobine, sepse ka tre ditë që fytyra të njëjta përsëriten me “leje” dhe radhë sipas grafikut të paracaktuar të lexojnë pretencën ndaj deputetes demokrate, znj.Albana Vokshi. Argumentimi i akuzave pa prova të përsëritura nuk është kontribut për të fituar apo ruajtur pozita në debatin publik. Sepse ngase kemi lexuar argumentimin politik të shumanshëm zgjeron bazën e argumentit, zgjeron sipërfaqen e argumentit me publikun dhe shumë më tepër individë identifikohen me mesazhin. Këtë Edi Rama nuk e kupton sepse mesazhi i tij është operacioni i sajdisur në atë mënyrën që mediet anglo-saksone e quajnë “character assassination”, një vrasje virtualo-mediatike, ku shkatërrohet në tavolinë imazhi publik e politik, përmes konferencave për shtyp
Kësaj radhe e bitis “lejen” deputeti Artan Gaçi, një prej atyre që janë “dezhurn” në Parti dhe në restorant Logoreci, po e kalojnë zhegun e gushtit në gatishmëri luftarake. është antropologjikisht interesante të shikosh sesi miliarderët e PS-së u kërkojnë transparencën të tjerëve, dhe nuk u shkon ndërmend t’ia fillojnë nga vetja njëherësh, sipas parimit të Jezu Krishtit: “Kush është pa mëkat të lëshoje gurin e parë”. Normalisht partitë e majta duken sikur luftojnë gogolin për të mbrojtur shtresat në nevojë. Por s’i bëhet kur janë vetë gogoli pluto-milionerë okultë? Afërmendsh, sa i intereson orkës vrasëse për peshqit e vegjël më të cilën kruan dhëmbët, aq i bie ndërmend Edi Ramës mjerimi i qytetarëve në nevojë.
Kemi të bëjmë më një socializëm konfuz, të paqartë, i cili e di që drita ndodhet përtej Edi Ramës, por është pikërisht mjegulla e dendur që ky njeri ndërtoi me duart e tij, që nuk e lejon të shohë përtej hundës me pllakë argjendi të Shefit. Njerëzit janë të bombarduar çdo ditë me pak të vërteta, dhe shumë të pavërteta, me demagogji dhe propagandë të shumëllojshme, të gatuar nga kryekuzhinieri i Pezës, që është duke i bërë servis trupit në Dubai.
Atrofizimi i rolit të opozitës dhe personalizimi i opozitës si prokurori komuniste që sajon akuza dhe prova kurrë nuk ka qenë në nivele më të larta sesa sot. Opozita është në regres, sepse sot ajo ngjan më një prokurori speciale jakobine. Afërmendsh një parti e Majtë progresiste duhet të kishte në gjirin e vet njerëz që fjala u ka peshë (në fakt kishte, por e dimë se si përfunduan), që gjykimi u ka thellësi dhe që mbi të gjitha kanë sy për politikat e ndryshme ku mund të japë alternativën e saj. Duket qartazi me varfërinë e konferencave se klasa politike e selisë rozë po del jashtë realitetit të qytetarit të thjeshtë. Sot më shumë se kurrë shqiptarëve u mungon njëra: opozita. Një opozitë e ndërgjegjshme për funksionet dhe detyrat e saj. Alarmimi dhe akuza nuk është përgjegjshmëri, dhe si e tillë edhe akuza politike nuk është impenjim, as helmimi i arsyes nuk është solidaritet në këtë moment.
Morfologjia e kampit opozitar është në një konfuzion të paparë lidhur me qasjen përpara ngjarjeve të ditës, ku e vetmja mënyrë për të bërë politikë po mbetet demonizimi prej gogoli në konferenca për shtyp, ku riciklohen hartimet cinike të egoarkut Edi Rama.
Dhe po ta mendoni mirë e gjitha kjo është në kuadër të Politikës së re, që është për të Majtën dhe të Djathtën e kryetarit mesianik.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›