E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kodi Zgjedhor ka nevojë të përmirësohet, PLL e gatshme të kontribuojë në këtë proces”

Deklaron kreu i PLL-së, Ekrem Spahia

“Në kushtet kur po afrohet afati i dekretimit të zgjedhjeve të ardhshme vendore dhe caktimi i datës së zhvillimit të tyre është deri më datën 8 shtator, partitë politike kanë detyrimin që të fillojnë përgatitjet për Reformën Zgjedhore”.
Kështu u shpreh dje, Kryetari i PLL Ekrem Spahiu gjatë një konference për shtyp.
Duke vlerësuar rëndësinë e përmirësimit të Kodit Zgjedhor, Spahia apeloi se ky proces duhet të ketë gjithë kohën e domosdoshme, për një diskutim të gjerë dhe larg interesave të ngushta partiake.
“Kodi Zgjedhor ka nevojë për përmirësime të rëndësishme që dolën si domosdoshmëri nga Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit, por edhe që OSBE/ODIHR i ka rekomanduar në raportin e saj final. Procesi i përmirësimit të Kodit Zgjedhor duhet të ketë të gjithë kohën e mjaftueshme për një diskutim të gjerë, konstruktiv dhe larg interesave të ngushta partiake. Për t’ju shmangur zgjidhjeve të minutës së fundit, të cilat për fat të kaq kanë rezultuar të nxituara dhe për pasoje të gabuara, është e nevojshme që diskutimi për përmirësimin e Kodit Zgjedhor të fillojë sa më shpejt”, u shpreh Spahia.
Në emër të PLL-së, kreu i kësaj partie shprehu gatishmërinë për të kontribuuar në hartimin dhe përmirësimin e Kodit Zgjedhor.
“Partia Levizja e Legalitetit është e gatshme qe të marrë pjesë në çdo diskutim dhe të japë kontributin e saj duke paraqitur opsione të pranueshme për të gjitha fazat e procesit zgjedhor. Krahas këtyre, Partia Lëvizja e Legalitetit mendon se ndërtimi i një administrate zgjedhore jopartiake dhe ndryshimi i mënyrës së numërimit të votave duke përdorur skanimin e fletëve të votimit, do të ishin dy zgjidhje të thjeshta që do të rrisnin dukshëm besimin e elektoratit te zgjedhjet”, përfundoi Spahia në deklaratën e tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›