E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sukseset dhe mos sukseset e pavarësisë, flasin analistët

Uashington-Analistët amerikanë kanë qëndrime të ndryshme një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në komentet e tij, analisti Daniel Server nga Instituti i Paqes në Uashington thotë se viti i parë i ka qenë i suksesshëm në kuptimin se është shmangur ai lloj destabilizimi po qe se Kosova nuk do të shpallte pavarësinë. Ai thotë se ka ende mjaft për t'u bërë.

"Pavarësia është një proces e jo vetëm deklaratë. Një pjesë e rëndësishme e mozaikut është njohja nga shtetet e tjera gjë që nuk po ndodh me shpejtësinë që unë do të dëshiroja. Ndonëse vendet që e kanë njohur Kosovën janë të rëndësishme dhe me influencë. Mendoj se shqiptarët e Kosovës tani duhet të fokusohen në çështjet e brendshme... menaxhimi i mirë i shtetit të tyre është hakmarrja më e mirë",-tha Server për BBC-në.

Por ndryshe mendon analisti tjetër amerikan. Stiven Majer, profesor në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes konsideron se situata në rajon nuk ka qenë e komplikuar kështu që nga viti 1999. Viti i kaluar as për njërën as për palën tjetër nuk ka qenë e suksesshme, thotë Majer. Sipas tij shqiptarët e Kosovës janë larg nga ajo që të kenë shtetin e tyre të pavarur dhe sovran dhe vështirë mund të thuhet se janë zotë të fatit të tyre kur atje ndodhet EULEX, NATO, Kombet e Bashkuara dhe SHBA-të.

"Serbët në anën tjetër nuk janë të kënaqur sepse nuk kanë kthyer, siç konsiderojnë, krahinën e tyre. Situata në Kosovë tani është më e komplikuar sesa që ka qenë në ndonjë moment nga viti 1999 dhe kurrë nuk kemi qenë më larg nga zgjidhja", thotë Majer.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›