E Diel, 1 Nëntor 2026

Suksesi i Barçës së Gaurdiolës, disiplinë dhe gjoba të kripura

Që prej momentit kur u ul në stolin e Barcelonës, Pep Guardiola ka "riparuar" dy apo tre vida në ingranazhin e skuadrës. Në fakt, sapo mori drejtimin e katalanëve, ai nuk hezitoi të largonte yje si Ronaldinjo e Deko dhe një talent si Xhovani Dos Santos. Plani ishte i qartë: lançimi i të rinjve si Buskets, gjetja e stimujve të rinj për Eto‘o dhe kontrolli total në dhomat e zhveshjes. Deri më tani, rezultatet po i japin të drejtë teknikut. Ndoshta edhe sepse në "hapin e parë" fals, ndaj lojtarëve aplikohen gjobat. Guardiola ka përpiluar edhe një tabelë me çdo shkelje. Futbollistët e kanë të qartë se çfarë pasojash i presin dhe janë të vetëdijshëm se rregulli kryesor te Barça tashmë është "disiplina". E përditshmja "El Mundo Deportivo" zbulon shifrat e gjobave, të cilat jepen të gjitha për bamirësi, ose shërbejnë për të paguar faturat e restoranteve të skuadrës së të rinjve. Gjoba më e kripur? Për ata që paraqiten me vonesë në stërvitje. Mjafton një minutë mungesë korrektese dhe lojtarët paguajnë gjashtëmijë euro. Ata që shkelin orarin e përcaktuar, në rast vonese, përveç gjobës, kthehen në shtëpi dhe nuk marrin pjesë në stërvitje. Për më tepër, trajneri përdor metoda për të mbajtur nën kontroll kontingjentin e skuadrës. Nga e hëna në të premte, ai i telefonon lojtarët në shtëpi rreth mesnatës: ata që nuk përgjigjen gjobiten me dymijë euro. Lëshimi i vetëm bëhet pas ndeshjeve. Në këtë periudhë, nëse futbollistët kanë ende forca, mund të dalin për t‘u argëtuar deri në orët e para të mëngjesit. Një tjetër risi është edhe ngrënia e të gjithë skuadrës së bashku. Tekniku pretendon që skuadra duhet të drekojë ose darkojë në grup, edhe sepse në këtë mënyrë përforcohen lidhjet me njëri-tjetrin. Kjo nuk praktikohet çdo ditë, por në rastet kur ndodh, askush nuk duhet të mungojë. Lojtarët që vonohen ose mungojnë gjobiten. Fatura për këtë shkelje është "vetëm" 500 euro. Ende nuk dihet sa para janë grumbulluar në arkat e klubit nga rregullat e reja, por ajo që duket qartë është ecuria e Barcelonës në fushën e lojës. Të paktën në këtë pikë, Guardiola ka të drejtë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›