E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan, Nesta drejt pensionit të parakohshëm

Mbrojtësi i Milanit, Alesandro Nesta, mund të jetë i detyruar që të tërhiqet përpara kohe nga futbolli i luajtur. Edhe pse mund të luajë në nivele të larta të paktën edhe për dy apo tre sezone të tjerë, karriera e 32-vjeçarit rrezikohet nga dëmtimet e shumta. Në sezonet e fundit, ish-mbrojtësi i Kombëtares italiane ka kaluar më shumë kohë në infermieri sesa në fushat e lojës, me një dëmtim kronik në shpinë. Kjo është arsyeja përse Nesta nuk është aktivizuar në shumë ndeshje të rëndësishme të kuqezinjve, ndërsa tashmë rrezikon që mos të luajë deri në fund të sezonit. Gazeta torineze, "La Stampa" pretendon se prej dëmtimeve, mbrojtësi mund të mos ketë asnjë zgjidhje tjetër, përveç varjes së këpucëve në gozhdë. Momentalisht lojtari ndodhet në Majemi për t‘u kuruar me një specialist amerikan.

Ndërkohë, një tjetër lojtar i kuqezinjve duket se nuk do të dalë asnjëherë "jashtë mode". Bëhet fjalë për Filipo Inzagin, që, edhe pse është 35 vjeç, vazhdon të shënojë gola të rëndësishëm për Milanin. Sulmuesi sapo rinovoi kontratën me skuadrën edhe për një sezon: "Dua të arrij kuotën e 300 golave të shënuar dhe të fitoj Kupën UEFA. Jam 35 vjeç, por vazhdoj të paraqitem mirë, shënoj dhe kam ende dëshirë të stërvitem. Nuk kam ndërmend të tërhiqem,e për këtë arsye rinovova kontratën edhe për një tjetër vit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›