E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulka: Qeveria rrëzoi skemën e minatorëve

Sipas zëvendësministrit të Punës, është duke u hartuar një skemë e dytë për trajtime të veçanta për 6 mijë minatorët

Është thyer më në fund heshtja qeveritare për 17 minatorët e ngujuar prej 23 ditësh për plotësimin e kushteve të punës, rritjen e masës së pensionit dhe uljen e moshës së punës. Zëvendësministri i Punëve Sociale, Kastriot Sulka, ka deklaruar dje në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, se nga ky institucion është llogaritur fatura financiare për rritjen e pensionit të minatorëve, por ajo është hedhur poshtë nga Ministria e Financave. Fatura financiare e llogaritur për vetëm 400 minatorë kishte si efekt financiar 1 milion dollarë në vit, në të cilën janë përfshirë disa shtesa pensionesh, por nuk është pranuar nga Financat. Deklarata e numrit dy të Ministrisë së Punës është bërë gjatë raportimit në këtë komision, i thirrur nga deputetët për projektligjin “Për një trajtim të veçantë të punonjësve të nëntokës”. Përveç kësaj, sipas Sulkës, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës janë miratuar dy projektligje në ndihmë të minatorëve, por të cilët janë rrëzuar nga qeveria. Sakaq, zëvendësministri i Punës, Kastriot Sulka, ka pranuar që statusi i minatorit kërkohet që prej një viti nga sindikatat, duke shtuar se për këtë dikasteri i Ministrisë së Punës është në negociata me minatorët për të arritur një rezultat final. Sipas tij, ky është një shqetësim dhe një përgjegjësi e Ministrisë së Punës, pasi është e vetmja ministri që funksionon në bazë të një Këshilli Kombëtar të Punës. “Kërkesa kryesore e minatorëve është ajo për statusin dhe brenda tij, dy më kryesorët janë mosha dhe pensionet”, tha Sulka. Gjatë diskutimeve, deputetët kërkuan hartimin e një raporti nga tri ministri, ajo e Financave, e Ekonomisë, si dhe Ministria e Punës mbi ecurinë dhe mundësinë e realizimit të kërkesave të minatorëve.

Ministria e Punës: “Gati skema II për minatorët”

Një skemë e dytë për trajtimin e veçantë të minatorëve pritet të krijohet, por përpara se ajo të fillojë nga aplikimi, më parë do të bëhet përllogaritja e efekteve financiare që vijnë nga zbatimi i kësaj skeme. Janë ekspertët e Ministrisë së Punës, ata që janë duke hartuar këtë skemë të dytë për trajtimin e kësaj kategorie, por ajo do të fillojë nga zbatimi vetëm pasi të jetë bërë përllogaritja e efekteve financiare. Detajet e skemës janë bërë të ditura dje në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, ku në thelb kanë zbatimin e trajtimeve të veçanta financiare nga shteti, të cilat nuk dëmtojnë skemën e sigurimeve shoqërore. Sipas Ministrisë së Punës, efektet financiare për zbatimin e kësaj skeme duhen rillogaritur, pasi efektivisht ajo u studiua kur u bë skema e parë, ku fillimisht u mendua për 1300 minatorë dhe doli se ajo duhej zbatuar për 6 mijë minatorë në total. Pra, në atë kohë METE mori një iniciativë për dyfishimin e formularëve që do të bënin regjistrimin e minatorëve. Nga ana tjetër, Ministria e Punës ka kërkuar rritjen e investimeve për kushtet e punës së minatorëve.

Drafti i opozitës

Projektligji për trajtim të veçantë të punonjësve të nëntokës është iniciativë e deputetëve të opozitës, të cilët parashikojnë që punonjësit që kanë punuar në miniera për një periudhë jo më pak se 11 vjet e gjysmë në nëntokë dhe janë një periudhë sigurimi jo më pak se 23 vjet, në rastet kur nuk ushtrojnë veprimtari ekonomike, trajtohen me përfitim. Masa e përfitimit për këta punonjës është e barabartë me 60 për qind të bazës së vlerësuar. Me ndryshimin e paraqitur, kërkohet që këta minatorë të mos marrim 6 mijë lekë në muaj, por 10 mijë lekë, aq sa është pensioni minimal në qytet. Gjithashtu, në relacionin e projektligjit thuhet se rasti i trajtimit të veçantë të punonjësve të nëntokës është tejet specifik dhe ai duhet të rregullohet në bazë të një ligji të nxjerrë në vitin 2000.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›