21 vota pro, Berati futet në UNESCO
Pas mbledhjes së bërë në Kanada më 8 korrik ’08, me 21 vota pro, Berati ka hyrë më në fund në sitin më të rëndësishëm të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore europiane e botërore, UNESCO. Tashmë, “qyteti i 1001 dritareve” është bërë pas Gjirokastrës në seri, pjesë e listës së Pasurive Botërore të UNESCO-s. Prej disa vitesh dosja e Beratit është punuar e ripërpunuar dhe e vetmja mënyrë e futjes së tij në UNESCO, sipas përpiluesit të kësaj dosje prof.Emin Riza si edhe specialistëve të tjerë të monumenteve, ka qenë futja e Beratit në një dosje në seri me “qytetin e gurtë”. Tashmë dy qytete shqiptare zënë vend mes perlave të tjera të trashëgimisë botërore në listën e UNESCO-s.
Deklarata e MTKRS
Pango: “Kemi 95% më shumë turistë se në 2005-n”
Ndërsa dy muaj para çeljes së sezonit turistik ministri i Turizmit dhe Kulturës Ylli Pango ka deklaruar se numri i turistëve ka qenë 23% më i lartë në krahasim me një vit më parë, dje ka ardhur një tjetër deklaratë nga MTKRS, sipas së cilës fluksi i turistëve për 6 muajt e parë të këtij viti është 95% më i lartë se në vitin 2005. Gjithmonë sipas të dhënave të MTKRS-së nga këta turistë 81% janë pushues, 10% vizitorë të bizneseve profesionalë, 4% vizitues ditorë dhe 4% kategori të tjera. Sipas të dhënave nga Misioni ICITA (agjenci amerikane, organ I varur nga Ministria e Brendshme, e cila rregjistron të dhënat dhe numrin e të gjithë personave që hyjnë në Shqipëri nëpërmjet të gjitha pikave kufitare të territorit shqiptar) për periudhën janar-qershor 2008 në Shqipëri ka pasur 789972 hyrje të regjistruara të turistëve nga vendet e tjera, nga të cilët 315 000 janë me nënshtetësi shqiptare. 70% e këtyre turistëve kanë hyrë në kufirin shqiptar përmes rrugëve tokësore. Nga vizitorët numrin më të madh e përbëjnë europianët ndërsa vendet me vizitueshmëri më të lartë për këtë periudhë kanë qenë Butrini, Gjirokastra, Apollonia dhe Berati.
P.GROSI
Festivali i Parë Folkolirk i Diasporës Shqiptare në SHBA
Këto ditë, (4-6 korrik ‘08) në sallën e madhe të koncerteve në kishën katolike të Shën Palit në Miçigan,(SHBA) është zhvilluar para 700 vetave Festivali i Parë Folklorik i Diasporës Shqiptare në SHBA. Famullitari Don Anton Kçira, pasi falënderoi pjesëmarrësit përshëndeti hapjen e festivalit duke thënë se “ky festival e bën Kishën e Shën Palit që të duket dhe më e bukur, edhe më e madhe.” E mbuluar e tëra kuq e zi, e zbukuruar dhe e hijeshuar me ngjyrat e veshjeve popullore kombëtare të grupeve pjesëmarrëse, -thotë Don Anton Kçira, këngët e vallet tona të bukuar janë mrekullia e këtij festivali, i cili do të zgjasë tre ditë.” Aktualisht në SHBA mendohet se jetojnë mëse gjysmë milionë shqiptarë të emigruar në kohë të ndryshme për shkak të rrethanave ekonomike, historike, politike e sociale. Kjo popullsi e emigruar në harkun e një shekulli, ndonëse jeton prej vitesh dhe është e mirëintegruar në komunitetin amerikan, i ruan me fanatizëm traditën dhe zakonet popullore, këngët, vallet e veshjen folklorike. Më tepër këto detaje bien në sy gjatë dasmave dhe kremtimit të festave kombëtare. Kësaj here, ka qenë kisha katolike në SHBA që ka bërë organizimin e një festivali të madh folklorik për të pasqyruar vlerat më të mira folklorike e artistike të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në SHBA. Ndërkaq, në Nju Jork, kisha katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës” ka organizuar për gati dhjetë vite festivale të ndryshme folklorike duke dhënë një shembull të mirë të fesë që mbështet dhe ruan traditat kombëtare. Natyrisht që për nivelin e festivaleve nuk mund të thuhet se është i njëjti i atyre që organizohen në Shqipëri, gjithsesi, shumë prej këtyre festivaleve folklorike të zhvilluara në SHBA, kanë zëvendësuar muzikën e folklorin e dasmave dhe ahengjeve. Kjo tregon se shpirti i traditës shqiptare vazhdon të jetojë edhe pse këta emigrantë janë aq larg vendit të tyre. Don Anton Kçira, ka kujtuar se, Kisha e Shën Palit, i ka ruajtur gjithmonë këto visare të çmuara të kombit tonë, edhe këtu përtej oqeanit edhe ateherë kur rrezikohej ekzistenca e saj. Sipas tij, ky ka qenë një detyrim moral, shoqëror e kombëtar i të gjithë bashkëatdhetarëve. Famullitari Kçira është shprehur: “Mbajtja e gjallë e trashëgmnisë sonë kombëtare, bëhet të tregojmë vlerat më të mira të traditës shqiptare. Kështu që edhe ky festival, për ne që jetojmë në emigracion, ka vlera shumë më të mëdha përcjellëse te brezat tanë.” Festivali i Parë Folklorik i Diasporës Shqiptare në SHBA do të ndajë edhe disa çmime por sipas Don Kçirës, çmimin më të madh kësaj here e fiton publiku pjesëmarrës i cili po e përcjell dhe po ua lë trashëgim fëmijëve këngën, vallet dhe melodinë shqiptare të të gjitha viseve, përfshi Kosovën, Maqedoninë e Çamërinë. Drejtor artistik i Festivalit është rapsodi Fran Gjokaj, udhëheqës artistik dhe libretist poeti Gjovalin Lumaj, ndërsa regjisor, Ndue Gjekaj. Për ndarjen e çmimeve është ngritur nje juri me profesionistë të kësaj fushe. Juria e festivalit përbëhet nga Met Agolli ish-koreograf i Ansamblit Kombëtar, pjesëmarrës në të gjitha festivalet kombëtare në Shqipëri, prof. Lulash Palushaj, studiues dhe njohës i mirë i folklorit, Mëhill Cuni, i ftuar special nga Shqipëria, Tonin Tushaj, Zef Përgega, gazetar e publicist i njohur, etj. Veç të tjerash, në ditën e hapjes së festivalit u zhvillua edhe një parakalim rreth kishës të Shën Palit nga grupet pjesëmarrëse në aktivitet. Festivalin e prezanton çifti Dritan Dako e Blerina Jahja.
B.SINA
9 Korrik 2008