E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulm britanikeve ne Afganistan. 9 te vdekur

Talibanët e kanë përkujtuar përvjetorin e pavarësisë së Afganistanit nga Britania e Madhe të vitit 1919, duke vrarë nëntë persona ndërsa kanë sulmuar zyrat e këshillit Britanik në Kabul. Sulme vetëvrasëse kanë hapur rrugën drejt zyrave në kryeqytetin afgan dhe më pas njerëz të armatosur rëndë kanë marrë nën kontroll kompaundin.

Sic shpjeguan zyrtarët e policisë dhe autoritetet e ambasadës britanike në Kabul, viktimat janë roje afgane të sigurisë dhe një ushtar i huaj, ndërsa personeli i Këshillit mund të ketë shpëtuar përmes një dhome të izoluar që ndodhej brenda ndërtesës. Katër personat që sulmuan godinën gjithashtu, kanë gjetur vdekjen, ndërsa talibanët morën përsipër sulmin duke theksuar se festonin ditën e pavarësisë së Afganistanit.

Një zëdhënës i shërbimit diplomatik britanik konfirmoi incidentin. Burime të shërbimit sekret i thanë BBC-së se sulmi ndodhi herët në mëngjes dhe u zhvillua në tre faza, një shpërthim vetvrasës në sheshin ku ndodhet Këshilli Bitanik, dhjetë minuta më vonë, një tjetër shpërthim përpara derës së godinës dhe më pas persona të armatosur hynë brenda saj.

Kjo nuk është hera e parë që sulme të përmasave të tilla ndodhin në ditën e Pavarësisë së Afganistanit. Ndërkaq, zona është evakuuar dhe banorët thonë se shkëmbime sporadike zjarri janë dëgjuar përgjatë ditës.  Ka dyshime se edhe roje të tjera afgane mund të jenë varrosur nën gërmadha.

Talibanët, sipas analistëve, janë në gjendje të godasin në Afganistan pothuajse në cdo zonë, edhe nën masat më të larta të sigurisë. Zëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahid i tha agjencisë Reuters se me sulmin dërgonin dy mesazhe: një për qeverinë afgane dhe tjetrin për Londrën. 

Britania ka rreth 9500 trupa në kuadër të NATO-s në Afganistan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›