E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimi i kushtetutes Shehu Nuk u provua per presidentin

Partia Demokratike kërkon vendosjen në provë të ndryshimeve kushtetuese të bëra 3 vjet më parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Deputeti i PD-së, Tritan Shehu thotë për AS se në ndryshimin që iu bë dokumentit themeltar të shtetit në vitin 2008 u provua sistemi zgjedhor dhe rezultoi i suksesshëm. Mënyra e zgjedhjes së presidentit të republikës është e vetmja pikë e ndryshuar në Kushtetutë e cila ende nuk është bërë efektive deri më sot dhe për këtë Tritan Shehu i qëndron bindjes se Presidentit duhet të zgjidhet sipas mënyrës së përcaktuar në vitin 2008 nga opozita.

“Sot, kryetari i PS-së deklaron: “Unë gabova atëherë dhe kërkoj ta ndryshojmë sot”. Për mua këtu ka një mungesë të madhe serioziteti dhe përgjegjshmërie. Për mua ndryshimet e 2008-ës të kushtetutës, për zgjedhjen e presidentit nuk janë vënë akoma në provë. Nuk është provuar efekti i tyre, pra, nuk është provuar asnjëherë një efekt negativ i tyre. Pra, shtrohet pyetja: “Pse të ndryshohen sot, kur këto nuk janë provuar akoma?”, thotë Shehu.

Lidhur me debatin për emrin e Presidentit, PD shprehet se është shumë herët për të përcaktuar kandidaturat e mundshme.

“Së pari, unë do të them që është e parakohshme për të folur për emra dhe persona konkretë. Në një vend demokratik si Shqipëria, nuk ka asnjë diferencim midis femrës dhe mashkullit, burrit dhe gruas, për të drejtën e kandidimit dhe për të drejtën për të arritur poste të rëndësishme të jetës së vendit. Zgjedhja e presidentit nuk mund të jetë një mjet “ta dhashë-ma more” për disa kompromise të çastit. E rëndësishme është që ne të respektojmë kërkesat e kushtetutës për zgjedhjen e presidentit”, theksoi ai.

Referuar raportit të OSBE/ODIHR demokratët theksojnë se faktori ndërkombëtarë sugjeron vetëm ndryshimin e Kodit zgjedhor. Sipas tyre, në asnjë resht të raportit nuk është kërkuar ndryshimi i Kushtetutës. 

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›