Sulm kamikaz kundër autokolonës së NATO-s
Një atentat kamikaz kundër një autokolone të NATO-s shkaktoi 18 të vdekur në Kabul mëngjesin e djeshëm: mes viktimave janë 12 civilë dhe gjashtë ushtarë të huaj, pesë prej të cilëve amerikanë. Në një komunikatë të Aleancës raportohet se ka disa dhjetëra të plagosur mes ushtarëve të misionit ndërkombëtar. Zyrtarët afganë thonë se objekti i sulmit ishte pikërisht autokolona e NATO-s. Atentati ndodhi në zemër të Kabulit, në lagjen ku ndodhet Parlamenti, Muzeu Kombëtar, një spital i administruar nga perëndimorët dhe Ministria e Energjisë. Një zëdhënës taleban, Zabihullah Mujahid, ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit, duke deklaruar se kamikazi ka përdorur një furgon të mbushur me lëndë eksplozive. Sipas dëshmitarëve, një kamikaz në bordin e një “Toyota Corolla” sulmoi një autokolonë të trupave ndërkombëtare, të përbërë nga makina të blinduara të trupave amerikane në një orë shumë të populluar, në një nga rrugët më të mëdha të qytetit. Shpërthimi ishte i tmerrshëm, sipas atyre që e kishin parë skenën nga afër, ku u shkatërruan plotësisht makina të autokolonës, një autobus dhe makina të tjera përreth zonës së shpërthimit. Në total janë më shumë se 11 makina të shkatërruara. Pjesa më e madhe e viktimave civile, rreth 11 prej tyre, gjendeshin në autobus. Shumica ishin gra dhe fëmijë. Bilanci i ushtarëve amerikanë dhe kanadezë, sipas disa burimeve, shkon nga pesë deri në shtatë. Sipas raportimeve të “New York Times”, të paktën 5 ushtarë amerikanë kanë mbetur të vrarë. Presidenti afgan, Hamid Karzai, e ka dënuar atentatin në konferencën e shtypit pas kthimit nga SHBA-ja. Policia ka vendosur pika kontrolli shtesë në të gjithë qytetin këtë vit, pas një seri sulmesh nga persona të armatosur mbi zyrat qeveritare dhe hotele. Por është e pamundur që të ndalohet dhe bastiset çdo makinë që hyn në qytet. zakonisht makinat drejtohen nga civilë.
#