Realizohet ëndrra për kinema në Sarandë
“Prolog Giffoni” e ka përfunduar turin në qytetin e Sarandës me një premtim të madh. Në ditën e tretë të projektimit të filmave, në takimin me fëmijët dhe të rinjtë e jurisë së “Generation +12” dhe “Generation +15”, kryetari i bashkisë së qytetit, z. Edmond Gjoka, u shpreh se së shpejti qyteti do të ketë një sallë moderne kinemaje. “Këtu është rasti më i përshtatshëm që unë të bëj një njoftim të rëndësishëm. Së shpejti, qyteti i Sarandës, fëmijët dhe të rinjtë do të kenë një sallë moderne kinemaje. Herën tjetër ju nuk do t’i ndiqni filmat që projektohen në kuadrin e “Prolog Giffoni” në sallën e vjetër të kinoteatrit “Butrinti”, por në një sallë të vërtetë. Kinemaja do të jetë pjesë e një projekti të madh për një qendër kulturore të qytetit”, ka thënë Gjoka. Ndërkohë, presidenti i “Giffoni FilmFestival Albania”, Namik Ajazi, ka theksuar se ky premtim është përmbushja e qëllimit të këtij festivali. “Ne e kemi përsëritur në formë sensibilizimi mungesën e kinemasë për një brez të tërë edhe në qytete të mëdha siç është Saranda, prandaj ky përbën një lajm të rëndësishëm”. Deri më tani, Saranda ka vetëm një kinema verore, e cila funksionon kryesisht me prodhime kinematografike për të rritur. Filmat për fëmijë, ashtu siç ndodh edhe në qytete të tjera, i mungojnë edhe Sarandës. Për tri ditë me radhë, fëmijë dhe të rinj nga mosha 12-19 vjeç kanë ndjekur filmat më të mirë, prodhime të dy viteve të fundit për kategoritë e tyre. Ndërkaq, dje në shëtitoren e qytetit është mbajtur një koncert me grupin polifonik “Zëri i Bilbilit” dhe këngëtarët Dritan Cara dhe
Problem AKA Telashi, gjatë të cilit janë shfaqur përmbledhje të videove mbi “Prolog Giffoni”. Sot, “Prolog Giffoni” zhvendoset në qytetin e Vlorës. Projeksioni i parë nis që në orën 9:00 në teatrin “Petro Marko”. “Ikingu”, filmi i parë që do të ndiqet nga fëmijët e moshës mbi 12, një prodhim i tri vendeve Islandë, Norvegji, Danimarkë, tregon/////////// e Boazit, 11-vjeçari djalë i një pastori protestant. Një ditë ai takon një djalë eskimez që e merr për një krijesë të çuditshme. Peshkatarët e fshatit, njerëz me mentalitet pagan, vihen në gjueti të përbindëshit, duke provokuar një ortek dëbore, nga i cili Boazi mbetet i bllokuar. Atë e shpëton fëmija eskimez, i cili mirëpritet më pas në shtëpinë e djaloshit.
#