Kolegët: Shkonin mirë dhe ishin tipa të qetë
Në familjen e policit të vrarë, Tom Jakini, morti është ulur këmbëkryq. Drejt fshatit Narac, ku ndodhet shtëpia e tij, janë drejtuar shokët, të afërmit dhe i gjithë fshati për të ngushëlluar familjarët. Teksa hyjmë në fshatin Narac të Vaut të Dejës, nuk është e vështirë të gjesh shtëpinë e 35-vjeçarit të vrarë, mjafton të ndjekësh njerëzit e shumtë që drejtohen për andej. Në shtëpi ka pllakosur zia, gratë vajtojnë me zë, ndërsa burrat qajnë në heshtje me kokën ulur dhe cigaren të shtrënguar fort mes gishtave. Kur pyesim në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, shokë të policit të vrarë shprehin habi, sepse Toma ishte një djalë tepër i qetë, punëtor dhe shkonte shumë mirë me të gjithë kolegët. Ndërsa familjarët e kanë të vështirë të flasin, pasi mbyten nga lotët. Një punonjës policie, i cili ndodhet te shtëpia e kolegut të tij të vrarë shprehet: “Ndihemi tepër të pikëlluar për këtë që ndodhi, pasi për fat të keq, një koleg i yni u vra nga një dorë polici. Por ndihemi gjithashtu të habitur se si ka mundësi të ndodhë një veprim i tillë mes dy shokëve të vjetër dhe për më tepër për shkaqe kaq banale. Nuk kemi fjalë për të komentuar këtë situatë që u krijua sot”.
#