Sulm me armë në Tajlandë, ish-deputeti qëllon zyrtarin lokal

Një ish-deputet i njohur i Tajlandës është arrestuar pasi dyshohet se ka qëlluar me armë një zyrtar të lartë lokal jashtë zyrës së tij qeveritare në provincën Nonthaburi. Sipas policisë, bëhet fjalë për Chalong Reawraeng, ish-ligjvënës për provincën Nonthaburi.
Viktima është Thongchai Yenprasert, president i Organizatës Administrative Provinciale të Nonthaburit, i cili mbeti i plagosur së bashku me shoferin e tij. Guvernatori provincial, Chettha Mosikarat, tha se Thongchai është në gjendje të rëndë pasi u qëllua në qafë. Një nga plumbat ka dëmtuar venat kryesore dhe mjekët e kanë futur në operacion. Shoferi i tij është plagosur në krah dhe dorë dhe po merr gjithashtu trajtim mjekësor.
I dyshuari, Chalong, është arrestuar nga policia. Pas ngjarjes, ai u lidh me një emision që transmetohej drejtpërdrejt në YouTube dhe më vonë u lejua të fliste me gazetarët nga stacioni i policisë ku mbahej. Në deklaratat e tij, Chalong pretendoi se mes tij dhe Thongchai kishte një mosmarrëveshje lidhur me paratë. Ai tha se i kishte kërkuar zyrtarit të merrte përgjegjësi për një detyrim financiar dhe se situata ishte përshkallëzuar. Sipas versionit të Chalong, ai e ndoqi Thongchai-n drejt automjetit pasi dyshohet se pati një përplasje mes tyre. Ish-deputeti pretendoi se nuk kishte ndërmend të qëllonte, por se shoferi i zyrtarit nxori një armë dhe e drejtoi nga ai, duke e shtyrë të hapte zjarr.
Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar motivin e plotë të ngjarjes dhe po hetojnë deklaratat e të dyshuarit, si dhe rrethanat e të shtënave.
Ngjarja ndodh vetëm pak ditë pas një tjetër episodi të rëndë me armë në të njëjtën provincë. Një adoleshent dyshohet se vrau shtatë persona, përfshirë familjarë dhe persona në një shkollë, përpara se të vriste veten. Ngjarja u cilësua si një nga të shtënat masive më të rënda në Tajlandë që prej vitit 2022.
/rtsh.al/