Sulme të kordinuara në shtëpitë e pesë gazetarëve grekë

Sulme të koordinuara dhe zjarrvënie kanë ndodhur gjatë orëve të natës së kaluar në Greqi në shtëpitë e pesë gazetarëve.
Persona të paidentifikuar kanë vendosur nga dy bombola gazi në shtëpitë e pesë gazetarëve të njohur, nga aktivizimi i të cilave për fat të mirë nuk ka pasur viktima, por dëme të shumta materiale.
Shpërthimet kanë ndodhur në shtëpitë e gazetarëve Jorgos Ekonomu, Antonis Liaru, Petros Karsioti, A. Skilaku dhe Kristos Konstans, në vendbanimet Alimos, Shën Parasqevi, Likavitu, Penteli dhe Marusi. Gazetarët punojnë në TV Mega, Alfa TV, ndërsa njëri është drejtor i Agjencisë shtetërore të lajmeve.
Sulmet ndodhën në pak minuta njëri pas tjetrit, gjë që përforcon pistën se ato ishin rezultat i një plani të koordinuar.
Çështjen e ka marrë në dorë antiterrori, që po heton për zbardhjen e sulmeve mbi shtëpitë e gazetarëve, ndërkohë që ka pasur reagime mbi këtë ngjarje të rëndë, raporton balkanweb.
“Dje bastisën stacionet e radios, sot bëjnë shpërthime në shtëpitë e gazetarëve”, tha zëdhënësi i qeverisë greke, i cili i bëri thirrje SYRIZA-s të heqë dorë nga “personat e maskuar”.
Edhe SYRIZA nga ana e saj i dënoi sulmet e natës së kaluar. “Deklaratat e qeverisë janë qesharake, tejet përçarëse dhe predikojnë intolerancë. Lufta për mbrojtjen e të drejtave sociale dhe interesave të botës së punës do të vazhdojë”, thuhet në deklaratën e saj./Indeksonline/