Sulmet në Gaza,fillojnë protestat

Ofensiva ajrore izraelite në Rripin e Gazës ka shkaktuar përleshje mes grupeve të armatosura palestineze dhe forcave egjiptiane të sigurisë. Rreth 300 palestinezë, shumica militantë të armatosur kanë humbur jetën që prej fillimit të sulmit izraelit dy ditë më parë. Ndërkaq anembanë Lindjes së Mesme kanë plasur demonstratat, ku protestues të revoltuar kanë dënuar jo vetëm sulmet izraelite por edhe reagimin pasiv të qeverive të tyre. Megjithë kufizimet për protesta publike në një numër vendesh arabe, protestuesit reaguan ndaj ngjarjeve në Gazë duke shprehur revoltë dhe emocion. Protestat më të zjarrta u zhvilluan në Kajro. Në universitetin e Kajros qindra studentë u lutën dhe derdhën lotë duke mbajtur lart pankarta me pamje të fëmijëve palestinezë të vrarë dhe të plagosur. Kishte nga ata që mbanin në duar Kuranin, ndërsa një student dogji flamurin izraelit pasuar nga brohoritjet e turmës. Ndonëse qeveria egjiptiane ka dënuar ofensivën ushtarake izraelite protuestuesit në Kajro shprehën revoltë ndaj përgjigjes së qeverive arabe dhe asaj egjiptiane. Ata i bënë thirrje qeverisë së vendit të tërhiqte ambasadorin egjiptian nga Izraeli, të largonte ambasadorin izraelit nga Kajro, të ndalte eksportin e naftës egjiptiane për në Izrael dhe të lejonte kalimin e ilaçeve për në Gazë