E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmet në Norvegji, Berisha-Topi: Akte barbare

Kryeministri Sali Berisha, me anë të një reagimi thotë se akte të tilla janë akte të barbarisë ndaj lirisë së kombit Norvegjez dhe vlerave të qytetërimit tonë.

“Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këto akte të shëmtuara terroriste, Kryeministri Berisha shpreh mbështetjen, simpatinë dhe solidaritetin ndaj Qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë dhe kombit norvegjez, si dhe besimin e palëkundur se autorët dhe organizatorët e këtyre sulmeve të shëmtuara do të marrin përgjigjen e merituar”, thekson reagimi.

Ndërkohë, edhe presidenti Bamir Topi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Mbretit të Norvegjisë, Harald V, në të cilin shprehen ngushëllimet për familjet e 87 viktimave dhe dhjetëra të plagosurve si dhe dënohen forcërisht aktet terroriste që ndodhën dje në Oslo dhe në ishullin e Utojas. “Këto ngjarje të rënda që tronditën jo vetëm qytetarët norvegjezë, por edhe mbarë opinionin botëror, na rikujtojnë për rrezikun konstant të terrorizmit ndërkombëtar dhe për sfidën e vazhdueshme, me të cilën ne së bashku, si aleatë në NATO përballemi vazhdimisht dhe mbi të cilën duhet të dalim patjetër fitimtarë në emër të një ardhmeje më të mirë e më të sigurt për popujt dhe vendet tona”, shkruan Topi.

Një ditë më parë, një 32-vjeçar me kombësi norvegjeze pjesë e partive të ekstremit të djathtë dhe një islamofob siç u quajt nga qeveria, shpërtheu një bombë afër ndërtesës së qeverisë dhe më pas qëlloi në një kamp të rinjsh, duke lënë pas dhjetëra viktima /Start/

                                                                                             2011-07-23 11:12
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›