E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekui takim me Topin: Të nisë menjëherë dialogu politik

Gjatë takimit është diskutuar për situatën politike në vendin tonë, për kapërcimin e ngërçit politik dhe domosdoshmërinë e realizimit të reformave jetësore për integrimin evropian të Shqipërisë.

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui vuri në dukje faktin se “Shqipëri nuk i ka plotësuar 12 përparësitë e kërkuara nga Evropa e Bashkuar, prandaj është shumë e rëndësishme që si mazhoranca ashtu edhe opozita të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive në këtë drejtim, përndryshe perspektiva evropiane e vendit tonë rrezikon të mbetet ende larg aspiratave dhe interesave madhore të popullit shqiptar”, ka thënë Sekui gjatë takimit, sipas Presidencës.

Gjithsesi, theksoi Ambasadori Sekui, Bashkimi Evropian dhe institucionet e saj mbeten të gatshme jo vetëm të japin ndihmesën dhe përkrahjen e tyre në drejtim të kryerjes së reformave të nevojshme dhe gjetjes së vullnetit të munguar, por edhe t’i ripërsërisin me forcë kritikat dhe vërejtjet e tyre, me synim që klasa politike shqiptare t’i rikthehet përparësisë së agjendës integruese evropiane.

Nga ana e tij, presidenti Topi, pasi vlerësoi deklaratat më të fundit të përfaqësuesit diplomatik të Brukselit në Tiranë, theksoi se është e domosdoshme nisja e dialogut.

“Në këtë situatë të stërzgjatur ngërçi politik, është e domosdoshme ulja e tensionit politik dhe nisja e menjëhershme e dialogut politik institucional mes palëve dhe gjetja e vullnetit të sinqertë për kryerjen e reformave shumë të rëndësishme si ajo zgjedhore, në sistemin e drejtësisë, etj, që do të mundësonin vazhdimin e rrugëtimit integrues evropian të vendit dhe do të shërbenin si provë pjekurie e klasës politike shqiptare para bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë presidenti. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-07-23 11:54
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›