E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sulmi kibernetik, Berisha: U dhunua sovraniteti i vendit, NATO dhe SHBA të ndërhyjnë urgjent

Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët është ndalur sërish te sulmi kibernetik ndaj sistemit TIMS dhe shërbimeve publike nga Irani.

Berisha deklaroi se çmimin e madh të sulmit kibernetik e paguajnë shqiptarët. Më tej Berisha dënoi sulmet kibernetike dhe qëndrimin e Kryeministrit Rama për të cilin thotë se ka filluar lojën kriminale në sisteme digjitale të vendit. Berisha ka përsëritur sulmet ndaj qeverisë duke u ndalur te vendimi për konfiskimin e ndërtimeve pa leje.

“Regjimi iranian ka sulmuar sisteme digjitale të vendit, çmimin e madh për të cilin e paguajnë shqiptarët në shërbime, në sigurinë e tyre dhe jo vetëm shqiptarët. Sulmi që filloi me portalin e-albania kaloi në sistemin TIMS më vonë me mesk dhe adams pa asnjë lidhje me portalin e-albania dhe dje është shtrirë në sistemin e gjendjes civile. Dënoj me ashpërsi këto sulme që në formë përfaqësojnë një dhunim të rëndë të sovranitetit të vendit, një agresion në një infrastrukturë me rëndësi kritike si për shërbimet edhe për sigurinë e çdo vendi. Dënoj gjithashtu pa hezitim qëndrimin e papërgjegjshëm të qeverisë Edi Rama i cili filloi zyrtarisht lojën kriminale në sisteme digjitale të vendit duke nxjerrë për patronazhistë të dhëna personale në kundërshtim me kushtetutën e vendit të 1 mln shqiptarëve. Duke nxjerrë targat në një mbështetje të fuqishme për krimin. Duke nxjerrë rrogat në një goditje për biznesin. Dënoj tenderat korruptiv të ndërtimit dhe mbrojtjes së këtyre sistemeve. Përpjekje për të shkatërruar sistemet në Kosovë kanë qenë të mëdha, por mbrojtja e tyre ka qenë e shkëlqyer. I bëj thirrje NATO-s, SHBA me specialist të fushave të ndryshme të ndihmojnë Shqipërinë për të kapërcyer agression. Partnerët tanë të bëjnë ndërhyrje emergjente se Irani nuk do të mund ta fitojë këtë betejë”, tha Berisha. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›