E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sulmi kibernetik i Iranit, Rama i përgjigjet kritikëve: Padije e thellë dhe ligësi e neveritshme në raport me vendin

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikave në lidhje me reagimin dhe masat e marra nga qeveria pas sulmeve kibernetike nga Irani.

Në një postim në Twitter, Rama shkruan se akuzat vijnë për shkak të padijes mbi fushën. Sipas kryeministrit, këto akuzat në drejtim të qeverisë, flasin për një “ligësi të neveritshme në raport me vendin”.

“Kënaqësia që pjell kaq shumë trillime, shpotitje dhe akuza lidhur me sulmet kibernetike nga një shtet agresor, përveçse për padije të thellë mbi fushën e përtaci të madhe ndaj informacionit, flet për një ligësi të neveritshme në raport me vendin e me njerëzit e këtij vendi!”, shkruan Rama.

Sistemi TIMS u sulmua mbrëmjen e 9 shtatorit, ku për pasojë për pak kohë u paralizua punë në aeroportin e Rinasit, por pas ndërhyrjeve, u arrit që të viheshin në punë dy sportele, ku u punua me regjistra në mënyrë manuale për të regjistruar hyrjet dhe daljet. Sistemi TIMS u rikthye në të gjitha pikat kufitare, pas 24 orësh ndërprerje. Ndërkohë, në korrik u sulmuan shërbimet online, ku prej gati 4 javësh ato mbetën të bllokuara. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se përgjegjës për të dy sulmet është Irani, ndërsa për këtë arsye Shqipëria mori vendimin për të prishur marrëdhëniet diplomatike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›