E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kryeministri Rama takim me Albin Kurtin në vilën qeveritare në Tiranë

Për më shumë se dy orë kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë zhvilluar një takim ‘kokë më kokë’ me njëri-tjetrin në Tiranë, në “Vilën 31”.

Albin Kurti mbërriti me urgjencë në Tirane, duke lënë angazhimet e tjera në Prishtinë, për të takuar kryeministrin Edi Rama. Kryeministri Kurti shoqërohej nga ministri i tij i Financave në këtë takim informal në Tiranë.

Nuk konfirmohet zyrtarisht qëllimi i takimit, por besohet se një nga çështjet që mund të ketë qenë në fokus është kundërshtimi që Shqipëria do t’i bëjë raportit të Dick Martit, por duke u nisur nga fakti që Kurti shoqërohej nga Ministri i Financave besohet se dhe çështjet me natyrë ekonomike të jetë ata që e sollën në Tiranë, kryeministrin e Kosovës.

Shqipëria ka siguruar se do mbështesë Kosovën gjatë krizës së paralajmëruar energjetike, por të hapura janë edhe çështjet që kanë të bëjnë me infrastrukturën hekurudhore, që mbështeten nga nisma e procesit të Berlinit, por edhe angazhimet në kuadër të bashkëpunimit dypalësh.

Një tjetër hipotezë për takimin e papritur “kokë me kokë” të dy kryeministrave mund të jetë edhe situata e sigurisë në rajon, në një kohë kur Ballkani po përballet me rreziqe të ndryshme të faktorëve të jashtëm. Ndoshta është edhe rastësi, por takimi i papritur Rama-Kurti vjen menjëherë pas telefonatës që kryeministri Rama pati me sekretarin e shtetit Antoni Blinken të martën në mëngjes. Kjo në një situatë kur Shqipëria ka qenë në frontin e një beteje të pazakontë, disa jave më parë me rastet e dyshuara të spiunazhit rus e thyerjes se sigurisë së objekteve ushtarake dhe së fundi këto ditë me përsëritjen e sulmeve kibernetike mbi sistemet e sigurisë nga Irani.

Ndërkohë që Kosova ka qenë gjithmonë e ekspozuar nga rreziqet që vijnë prej ndikimit rus në rajon, dhe problematikat që vijnë nga Serbia që përdor pakicën serbe në veri për krijimin e tensioneve në vend. Në fund të takimit Kurti dhe Rama kanë shkëmbyer edhe një përqafim. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›