E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani pranon doreheqjen e Berishes Roli dhe kontributi i tij domethenes

Pak para orës 13:00, kryeministri Sali Berisha mbërriti në selinë e Presidencës për t’i dorëzuar kreut të shtetit dorëheqjen e tij dhe të gjithë kabinetit qeveritar. Akt, i cili ishte paralajmëruar në mbledhjen e fundit të qeverisë, të enjten e kaluar.
Dorëheqja e zotit Berisha i hap formalisht rrugën krijimit të Qeverisë së re.
Në nenin 96 të Kushtetutës, thuhet se Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend.
Pak pas takimit Berisha-Nishani, zyra e shtypit pranë Presidencës, bëri me dije se gjatë bisedës që kreu i shtetit pati me kryeministrin në detyrë, vlerësoi rolin politik dhe kontributin personal të zotit Berisha dhe të Qeverive që ka kryesuar në ndërmarrjen e reformave institucionale, politike dhe ekonomike ne qeverisjen 8 vjeçare. Presideni Nishani, evidenton si arritje të qeverisë Berisha anëtarësimin e vendit në NATO, pavarësinë e Kosovës dhe shtimin e njohjeve të saj, liberalizimin e vizave, realizimin e projektit TAP, investimet në infrastrukturë, etj. Sipas Presidentit Nishani roli dhe kontributi institucional dhe personal i Kryeministrit dhe politikanit Berisha kanë qenë domethënës.
Nga ana e tij, sipas njoftimit, kryeministri në detyrë Sali Berisha shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe rolin institucional të Presidentit Nishani.
Pas takimit, që zgjati rreth 20 minuta, kreu i shtetit ka preferuar ta përcjellë personalisht zotin Berisha deri në daljen nga selia e Presidencës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›