Fantazma e rizgjuar e komunizmit
“Një fantazmë sillet nëpër Evropë - fantazma e komunizmit”. Me këto fjalë Karl Marksi do të hapte Manifestin e tij komunist, duke paralajmëruar fitoren e pakthyeshme të komunizmit, si dhe afrimin e një epoke të re për njerëzimin, epokë, në të cilën, në të vërtetë do të merrnin jetë utopitë më të ethshme të njohura nga historia e njerëzimit. Sido që kundërshtimi ndaj komunizmit në këtë kohë ishte i pranishëm kudo në Evropë, përsëri, askush nuk ishte i ndërgjegjshëm për rrezikshmërinë reale që ai paraqiste, ashtu siç askush nuk ishte i ndërgjegjshëm as për rrezikshmërinë që paraqisnin në përgjithësi totalitarizmat e mëdha që po trokisnin në derë. Duke qenë mohuese ndaj çdo realiteti joshqisor, bota moderne, e sunduar nga empirizmi shkencor, nuk ia vuri dhe aq veshin krismave të tyre të para. Përkundrazi, nën efektet gjithaq opiumatike të zotit ri të njerëzimit (shkencës), nën gudulisjen e ëndrrave utopike që ndiznin aspiratat për një epokë të artë (epoka e arsyes), njerëzimi ishte ekspozuar shpengueshëm ndaj çdo lloj marrëzie ideologjike që premtonte të vendoste në mënyrë definitive rendin botëror. Në këtë mënyrë, askush nuk e mendonte se çfarë oguri mbartte në vetvete fantazma foshnjë e Marksit, e cila në atë kohë sa kish mësuar të hidhte hapat e parë, për të marrë më pas revanin e vet të çmendur, që do të ndalej vetëm pasi të kishte realizuar deri në fund gjëmën e saj të përmasave apokaliptike. Një gjë është e qartë, bota qe e papërgatitur për të orientuar drejt arsyen, e cila sapo kish kryer divorcin e vet përfundimtar me metafizikën dhe besimin, për t’u lëshuar me vrull në tatëpjetën e vakuumit të krijuar, pa ditur se ku do ta mbante frymën. Në këto rrethana, arsyeja mbeti në rrjetat e utopive të shumta të kohës, të endura për të zënë brumin prej nga do të ngjizej njeriu i ri, i cili ishte programuar për të ndërtuar epokën e re të fundit të historisë. Klasa dhe raca ishin ndoshta karremat më të efektshëm për tunduar ngasjen e arsyes drejt utopive, por gjithsesi, në thelb ato ishin rastësore. Thelbësore mbetet brumi iluminist, i cili krijoji embrionin e njeriut të ri të angazhuar në ndërtimin e utopive të mëdha. Ishte pikërisht ky brumë që ruante vetitë e duhura për ta bërë botën lëmsh, dhe kahja e rreshtimit të njerëzve ishte vetëm çështje forme, dhe si e tillë mbetet rastësore.
Sot, pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe pas rënies së Murit të Berlinit dhe fundit të Luftës së Ftohtë, bota duket më e pjekur për të kuptuar marrëzinë dhe ethet që hoqi. Por gjithsesi ajo nuk duket dhe aq e imunizuar për të bërë të pamundur ripërsëritjen e etheve të tilla. Jo vetëm zbehja e përvojës së duhur të fituar nga vuajtjet e së kaluarës, por edhe harresa kolektive apo ardhja e brezave të rinj të shpenguar e të panjohur me të kaluarën e prindërve të tyre, duket se e ndihmon të njëjtën gjendje hutimi dhe mungese vigjilence. Në vijim të kësaj, me gjithë pamundësitë e realizimit të pikëpamjeve iluministe, të dëshmuara nga njerëzit e dijes, brumi iluminist fryhet ende në rrënjë të botëkuptimeve tona, duke i larguar shoqëritë nga vlerat tradicionale e konservatore (përjashto raste të rralla si SHBA e gjetiu, ku ndeshim një tendencë të fuqishme rikthimi drejt vlerave fetare). Për rrjedhojë, mjaft autorë vazhdojnë t’u bien kambanave të alarmit, duke u rrekur të na bëjnë të ndërgjegjshëm që shoqëritë e sotme nuk janë aspak të imunizuara ndaj një rikthimi të mynxyrës së pashembullt të gjysmës së parë të shekullit XX, ndoshta shekullit më të errët të historisë njerëzore, “shekullit të mega-vdekjeve”, - siç do ta quante Brezhezhinski, - apo “epoka e ekstremeve” ose “i rrëmbyeri shekull i XX”, - siç do ta zbukuronte disi për ta zbutur Hobsbawm, (ndoshta tonet romantike, në përcaktimin e makabritetit të këtij shekulli te Hobsbawm, burojnë pikërisht prej atyre pak mbetjeve të komunizmit të hershëm te vetë ai, të cilat çdokush e ka të vështirë t’i pastrojë përfundimisht nga nënvetëdija e tij).
Ndoshta do të mund të flinim të qetë, duke i konsideruar alarme të tilla vetëm si shqetësime të justifikueshme intelektuale të njerëzve që, të djegur paq prej mosvetëdijes dhe marrëzisë njerëzore, nuk ngurrojnë t’i fryjnë edhe kosit për të mbajtur sa më të ndezur vigjilencën qytetare. Ndoshta shqetësimet e tyre mund t’i marrim si paralajmërime që synojnë t’i dalin të keqes përpara, edhe kur ajo nuk duket pranë. Ndoshta. Por gjithsesi ka mjaft të dhëna që tregojnë se ata kanë të drejtë dhe se të paktën kërcënimi mbetet aty, i gatshëm të rikthehet për të ripërsëritur makthet e së shkuarës, për sa kohë që vetëdija jonë nuk duket e shëruar prej skemave të shkuara ideologjike të të menduarit. Kjo duket jo vetëm në faktin që vetëdija njerëzore sot nuk është në nivelin e duhur për t’ia prerë rrugën së keqes, por edhe për faktin se nostalgjia për xhelatët e historisë së vonë, po shfaq fytyrën e saj aty-këtu, duke propozuar rivlerësime zbutëse për ta, ende pa u tharë mirë plagët e dhimbshme që kanë shkaktuar.
Konkretisht, nga mediat mësojmë se, sipas një sondazhi të gjerë të zhvilluar në Rusi për njerëzit më të rëndësishëm të historisë së këtij vendi, ndër pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në këtë piedestal është vetë Stalini, figura më monstruoze e kriminalitetit njerëzor. Jo vetëm kaq, por sipas të dhënave nga shtypi i përditshëm, kohëve të fundit në Rusi, sidomos klasa intelektuale, ka shfaqur një tendencë për zbutje të qëndrimeve ndaj Stalinit, të cilat synojnë drejt rehabilitimit të kësaj figure, e cila, sipas tyre, mbart edhe një sërë vlerash, të tilla si rezistenca ndaj fashizmit, fakti që e bëri Rusinë një superfuqi botërore etj.
Në fakt, të njëjtat tendenca janë shfaqur edhe këtu në Shqipëri, ashtu si edhe ndoshta në të gjithë vendet e ish-bllokut komunist, përveç Gjermanisë Lindore. Jemi mësuar herëpashere të ndeshim elementë nga elita sunduese intelektuale në vend të flasin për një rivlerësim të figurës së shëmtuar të Enver Hoxhës “me të mirat dhe të këqijat e tij”. Edhe këtu, aspektet që synojnë ta bëjnë laramane figurën e zezë të diktatorit kanë të bëjnë me Luftën Nacionalçlirimtare, e cila na paska rreshtuar në kampin fitues. Gjithashtu, në këtë linjë kemi ndeshur edhe zëra që flasin për elektrifikimin e vendit (pavarësisht se edhe ky ishte brenda kulturës së tollonit, - nga një llambë për shtëpi), për emancipimin e gruas (pavarësisht se i ngarkoi asaj një dyfishim të detyrimeve brenda dhe jashtë familjes), alfabetizimin e popullsisë (pavarësisht eliminimit të inteligjencës së vendit), ndërtimin e ndërmarrjeve, fabrikave etj... Me një fjalë, për shndërrimin e vendit në një “bahçe me lule”, siç trumbetonte dikur partia.
Ndoshta dikush mund të thotë se zëra të tillë janë pa peshë dhe nuk paraqesin kurrfarë kërcënimi ndaj rendit të sotëm. Në të vërtetë, ka mjaft gjasa të jetë kështu, pasi askush nuk mund të kërcënojë një rend që e sundon vetë. Kur shohim se ky vend ende nuk i ka dënuar krimet e komunizmit, ende nuk ka kurajën dhe vullnetin të hapë dosjet për të njohur realitetin e vërtetë të mynxyrës që ka jetuar, ende mban në institucionet më të larta të shtetit individë që kanë qenë protagonistët kryesorë për ta mbajtur në funksionim makinerinë vrasëse të regjimit të kaluar, pa folur këtu për biznesin, mediat apo shoqërinë civile… E gjithë kjo nuk të jep edhe aq qetësinë për të menduar se e përmbysëm regjimin e vjetër. Vërtet, ndoshta e gjithë kjo armatë njerëzish nuk ka ndërmend të punojë për të rikthyer diktaturën e dikurshme, por realisht ajo prodhon një variant të ri diktature dhe kontrolli të monopolizuar të pushtetit, duke lënë praktikisht çdo njeri të thjeshtë, të drejtë dhe të ndershëm jashtë sistemit dhe pa asnjë alternativë politike përveç abstenimit apo zgjedhjes së “të keqes më të vogël”. Ky realitet duket një tregues i rëndësishëm për mungesën e opozitarizmit ndaj rendit ekzistues.
Sidoqoftë, alarmet e ngritura prej kohësh nga njerëzit e vërtetë të mendimit botëror, ata që edhe ishin dëshmitarë realë të tmerrit që prodhoi shek. XX, duket se po gjejnë vërtetim nga fenomene të tilla, në shtim e sipër kudo në botë, sidomos në bllokun lindor. Mosdënimi i komunizmit, ashtu siç ndodhi me nazizmin, duket se ka sjellë imunizimin e tij për të rezistuar ndaj presionit për t’u zhdukur krejtësisht nga aspiratat njerëzore. Gjithsesi, ajo që është e qartë dhe më shqetësuese është mungesa e imunizimit të shoqërive të sotme ndaj utopive dhe ideologjive totalitariste, të cilat janë krejtësisht të mundshme për t’u rikthyer me fytyra të tjera, por për të prodhuar të njëjtat makthe, në mos edhe më të rënda si ato të shekullit që sapo kaluam. Mosvotimi i Kushtetutës së Evropës, si edhe rritja e një vale racizmi dhe ksenofobie të vërejtur në botën perëndimore, ku mund të përfshijmë edhe përparimet e aty-këtushme të ekstremit të djathtë janë dukuri të paneglizhueshme në këtë drejtim. Kur të gjitha këto ndodhin në shoqëri të tilla si ato perëndimore, të cilat kanë arritur të ngrenë jo pak vëmendje kundër totalitarizmit duke prodhuar një ndërgjegje të thellë analitike ndaj shkarjeve të dikurshme, ç’mund të thuhet për shoqëri shumë herë më të pandjeshme ndaj kësaj problematike, si ato të bllokut lindor komunist? E gjithë kjo bën që shqetësimet popper-iane mbi rreziqet dhe brishtësinë e demokracisë të duken më të vërteta se kurrë. Në këtë mënyrë, duket se fantazma e Marksit vazhdon të endet ende nëpër botë, e “rilindur gërmadhash”, për të kërcënuar gjumin e çdo njeriu që arrin të shohë diçka më larg se banaliteti i jetës së përditshme politike në çdo vend.