E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telefonata me prindërit prangos Liljana Kondakçiun

“La mamma” e drogës, dy javë më parë ishte në Shqipëri për një emision televiziv

Artistët shqiptarë, pjesë e trafikut të drogës. Në këtë mënyrë media italiane dhe ajo greke e cilësoi artisten e skenës shqiptare dhe veçanërisht asaj muzikore, Liljana Kondakçi, e cila është cilësuar nga Prokuroria italiane si trafikante droge dhe pjesë e një bande të goditur katër vjet më parë, që ka lidhje të drejtpërdrejtë me grupimin “Ndragheta”, një ndër grupet më famëkeqe të mafies italiane. Këngëtarja 53-vjeçare, veç emrit si këngëtare, tashmë njihet edhe me nofkën “la mamma”, emër me të cilin ajo punonte si pjesë e rrjetit të trafikimit të drogës, kryesisht drejt Italisë. Por ditën e djeshme, ajo është arrestuar në Greqi, pas një telefonate që ka bërë me të afërmit në Shqipëri, pasi drejtësia italiane e kishte shpallur në kërkim. As vetë nuk e kishte besuar arrestimin, pasi jo më larg se dy javë më parë ka qenë e pranishme në ekranet e mediave shqiptare, sikur gjithçka mbi problemet me drejtësinë italiane të ishin mbyllur.

Këngëtarja e njohur Liljana Kondakçi është arrestuar mëngjesin e djeshëm në qytetin e Selanikut për llogari të drejtësisë italiane. Sipas policisë së kryeqendrës greke të veriut, Kondakçiu ishte shpallur në kërkim prej disa vitesh dhe është një ndër anëtaret e një bande të trafikut të lëndëve narkotike në Itali. Ajo është dënuar në mungesë prej drejtësisë italiane, ndërsa emri i saj ka dalë sërish në listën e personave të shumëkërkuar prej drejtësisë, për një tjetër trafik lëndësh narkotike. Ajo jetonte e fshehur në qytetin e Selanikut, në një banesë të marrë me qira prej të afërmve të saj në këtë qytet. Arrestimi i 58-vjeçares u bë i mundur prej agjentëve të antidrogës greke, mbas evidentimit të banesës së saj. Sipas të dhënave hetimore, policia shqiptare, e cila mbante nën përgjim familjarët e saj, kishte kapur një telefonatë te Kondakçi nga Greqia dhe menjëherë informacioni i ishte dërguar palës greke. Pa vonuar, policia greke ka mundur të identifikojë vendndodhjen e Kondakçiut dhe më pas e ka arrestuar. Tashmë ajo mbetet në pritje, pasi do t’i dërgohet Gjykatës së Selanikut, e cila do të vendosë për ekstradimin e saj drejt Italisë.

Liljana Kondakçi, artistja e njohur shqiptare, jo vetëm si këngëtare, por edhe aktore e disa filmave, u arrestua për herë të parë më 18 maj të vitit 2006, kur ishte nën shoqërinë e një shkodrani dhe në mjetin me të cilin po udhëtonin u gjetën 3.3 kilogramë kokainë. Në atë kohë, ajo sapo kishte mbërritur nga Shqipëria nëpërmjet Barit dhe në stacionin hekurudhor të Sibarit, në çantën e saj u kap kokaina. Burimet policore italiane theksuan se arrestimi u bë nga forcat e “Guardia di Finanza” dhe bashkë me këngëtaren shqiptare u kap Luan Kubareka. Personi në fjalë mendohet të jetë nga Shkodra, por mbiemri i tij është pothuajse krejt i panjohur në qytetin verior. Artistja shqiptare thuhet se ndodhej në Itali e ftuar në një festë italo–shqiptare në Rimini. Popullariteti që gëzonte dyshohet se ka qenë mjeti më i fortë që ka përdorur këngëtarja lirike shqiptare Liljana Kondakçi për të trafikuar lëndë narkotike. Në vitin 2008, pikërisht në fund të tetorit, ajo doli sërish në përgjimet e policisë italiane. Rasti i dytë për Kondakçiun erdhi pas një operacioni, ku policia italiane identifikoi mbi 20 persona dhe shoqëroi shumë të tjerë, të akuzuar si pjesë e një organizate që merrej me trafikun e drogës. Banda udhëhiqej nga Saverio Magliari, 54 vjeç, që konsiderohet si kapoja e klanit “Altomonte” dhe se kishte lidhur kontratë me familjen Smajlaj nga Shkodra, për të blerë heroinë dhe kokainë. Zbulimi i grupit është bërë pas një operacioni të koduar “Shkodër”, në bashkëpunim me policitë e Cosenza, Vibo Valentia, Napoli, Roma, Perugia dhe Firenze. Për këtë rast është arrestuar dje edhe këngëtarja shqiptare, Liljana Kondakçi. Këngëtarja që ka lënë një emër të shquar në artin shqiptar është larguar jashtë vendit që me hapjen e kufijve pas vitit 1990. Sipas të ëmës, ajo ka jetuar gjatë gjithë këtyre viteve bashkë me të shoqin dhe vajzën e saj në Selanik të Greqisë. Ajo ka dhënë një sërë koncertesh në diasporë, por vinte shpesh edhe në Shqipëri, ku këndonte nëpër taverna të ndryshme. Në Greqi këngëtarja ka vajzën të martuar me dy fëmijë, ndërsa ka lënë në Shqipëri një djalë 29 vjeç. Kohë më parë, burri i Liljanës ka bërë një operacion të vështirë në zemër.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›