Sulmi në Siri, lëndohen monitorues të Ligës Arabe
Liga Araba ka bërë me dije se 11 monitorues të saj janë lënduar, ndërsa automjetet e tyre u sulmuan nga protestuesit në qytetin sirian të Latakias.
Reuters citon kreun e dhomës së operacioneve të Ligës Arabe në Kajro, Adnan al-Khoderi, të ketë thënë se sulmi ka ndodhur të hënën, ndërkohë që“asnjëri nga të lënduarit nuk ka nevojë të shtrohet në spital”.
“Sulmi nuk ka ndikuar në punën e monitoruesve”, ka thënë al-Khoderi.
Liga Arabe ka lëshuar sot një deklaratë për të dënuar sulmin, duke thënë se “Qeveria e Sirisë ka dështuar në angazhimin e saj për të siguruar mbrojtje”.
Siria është përfshirë nga trazirat anti-qeveritare që nga marsi i vitit të kaluar. Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara, mbi 5.000 persona kanë humbur jetën.