E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria strehon edhe tre terroristë

Vendi ynë ka pranuar deri tani 11 të liruar nga burgu famëkeq i Guantanamos

Tre të burgosur të burgut famëkeq të Guantanamos janë sjellë në Shqipëri, duke e çuar në 11 numrin e përgjithshëm të të transferuarve. Ministria e Brendshme konfirmoi se dje nga qendra e paraburgimit në Guantanamo u transferuan në Shqipëri tre shtetasit e huaj, Saleh bin Hadi Asasi me kombësi tuniziane, Sharif Fati Ali al Mishad me qëndrim në Egjipt dhe Abdul Rauf Omar Mohammad Abu al Qusin me kombësi libiane. Sipas të dhënave zyrtare, ata dyshohen nga drejtësia amerikane për lidhje me terrorizmin dhe Al-Kaedën dhe janë burgosur në Guantanamo pas akuzave të ngritura ndaj tyre për aktivitet të gjerë terrorist.

Sipas Ministrisë së Brendshme, këto transferime u bënë në bazë të marrëveshjes individuale midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë shqiptare, ku është ngritur një Task-Forcë, me qëllim rehabilitimin e këtyre personave në vendet me të cilat është nënshkruar. “Dy qeveritë koordinuan midis tyre mbi modalitetet e transferimit dhe angazhohen të vazhdojnë konsultimet në lidhje me trajtimin e këtyre personave”, thuhet në deklaratën për shtyp nga Ministria e Brendshme. Ky transferim vjen pas angazhimit që ka shprehur qeveria shqiptare për të mbështetur iniciativën e administratës së Presidentit Obama për mbylljen e qendrës së Guantanamos dhe transferimin e të paraburgosurve në vende mike dhe të sigurta. Me pranimin e këtyre tre individëve, numri total i të transferuarve nga Guantanamo në Shqipëri shkon në njëmbëdhjetë. Ka qenë Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Barak Obama, që premtoi mbylljen e burgut të Guantanamos gati 20 ditë pas marrjes së detyrës. Shqipëria ishte ndër të parat vende që pranoi menjëherë kërkesën e SHBA-së në janar të vitit 2009 për transferimin e të burgosurve nga Guantanamo. Në atë kohë disa vende të Bashkimit Europian kanë shprehur rezerva për marrjen e këtyre të burgosurve. Madje, ditën e djeshme Spanja ka marrë vetëm një person nga Guantanamo.

Por, kjo nuk është hera e parë që Shqipëria strehon të burgosur të Guantanamos. Pak vjet më parë, Shqipëria strehoi pesë burra myslimanë nga minoranca etnike ujgur, në Kinën Perëndimore, që u liruan nga Guantanamo, pasi u arrit në përfundimin se ata nuk përbënin asnjë kërcënim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Burgu i Guantanamos njihet për tortura çnjerëzore, sidomos gjatë marrjes në pyetje. Guantanamo është i vendosur në Kubë. Marrja e të burgosurve të Guantanamos është përshëndetur edhe nga departamenti i drejtësisë së SHBA-së.

Në vitin 2007, Shqipëria nuk e ka pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të strehuar edhe 15 ish të burgosur të Guantanamos. Autoritetet shqiptare, të cilët u ofruan azil disa vite më parë 5 ujgurëve, të liruar nga baza amerikane në ishullin kuban, kësaj radhe refuzuan SHBA-në, duke iu bashkëngjitur 100 shteteve të tjera, që nuk pranuan të strehojnë 15 ish të burgosur të kampit famëkeq.

Që nga viti 2002, më shumë se 580 të burgosur janë marrë nga burgu i Guantanamos, duke u dërguar në vende të tjera, përfshi Shqipërinë, Algjerinë, Afganistanin, Australinë, Bangladeshin, Bahreinin, Belgjikën, Bermudën, çadin, Danimarkën, Egjiptin, Francën, Hungarinë, Iranin, Irakun, Irlandën, Italinë, Jordaninë, Kuvajtin, Portugalinë, Rusinë, Spanjën, Zvicrën, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Jemenin. Sot, atje kanë mbetur 189 të burgosur që pritet të transferohen në ditët e ardhshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›