E Diel, 1 Nëntor 2026

Njëri është nëpunës i ISSH-së, tjetri i teatrit “çajupi”

Dy punonjës administrate në Korçë janë çuar për ndjekje penale për shpërdorim detyre. Ka qenë sektori i krimit ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë së Korçës që ka çuar për hetime të mëtejshme dhe për ndjekje penale dy punonjës të shtetit që kanë abuzuar me detyrën, duke u sjellë drejtorive të tyre dëme financiare dhe humbje në vlerë deri në 500 mijë lekë të reja. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një punonjës të Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore dhe një të teatrit “çajupi” në qytetin e Korçës. Për arsye të hetimeve që kanë nisur ndaj dy punonjësve të këtyre drejtorive, policia nuk ka bërë të ditur emrat e tyre. Burime pranë policisë së Korçës kanë sqaruar se punonjësi i Sigurimeve Shoqërore akuzohet për shpërdorim detyre për disa vërtetime false të lëshuara lidhur me përfitimin e pensioneve. Sipas policisë, personi nën akuzë ka lëshuar vërtetime duke mundësuar trajtimin me pensione të personave që nuk e kishin këtë të drejtë. Punonjësi i Sigurimeve Shoqërore, sipas sektorit të krimit ekonomik i ka shkaktuar shtetit një dëm financiar prej rreth 500 mijë lekësh. Nga ana tjetër, një nga punonjësit e teatrit “çajupi” është vënë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi sipas policisë ka abuzuar me pagat dhe dietat e administratës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›