E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sundimtarë dhe oborrtarë

ERAZMI i Roterdamit

ǒështë e vërteta, ka kohë që dua të zë në gojë mbretër e oborrtarë, të cilët më nderojnë shumë, me sinqeritet të madh e me zemër të hapur, sikundër u ka hije fisnikëve. Sikur këta të kishin dy pare mend në kokë, a do të ekzistonte gjë tjetër më e zymtë, më e pështirë se jeta e tyre? A do të kishte njeri në botë, i cili të gjykonte se e vlen barra qiranë të merret pushteti, edhe me pabesi e atvrasje, po t’i vinte gishtin kokës më parë se ç’peshë të rëndë merr mbi shpatulla kushdo që do të jetë vërtet një sundimtar për të qenë?
Sepse kush merr përsipër drejtimin e vendit, duhet të shikojë të mirën e përgjithshme e jo punët e veta, nuk duhet të mendohet për tjetër, veçse si të qeveriset sa më mirë vendi, nuk duhet të shmanget as sa gishti nga ligjet e shtetit, meqenëse është hartues dhe garant i zbatimit të tyre. Ai është përgjegjës për ndershmërinë e të gjithë funksionarëve dhe të njerëzve të drejtësisë; të gjithë i mbajnë sytë të ngulur tek ai, sepse e dinë se është në gjendje t’i sjellë një të mirë të paçmueshme jetës qytetare me butësinë e ndershmërinë e tij, ashtu si një yll ogurmirë; ndërsa përkundrazi, mund t’i shkaktojë edhe fatkeqësinë më të rëndë, si një kometë vdekjembjellëse.
Veset e njerëzve të tjerë nuk maten njëlloj si ato të sundimtarit dhe pesha e tyre është shumë më e vogël. Ai që ka timonin e shtetit ndodhet në një pozitë të atillë, që edhe një shkelje e lehtë e moralit nga ai mjafton të ndjellë një epidemi të rëndë në një shoqëri civile shumë të gjerë. Për më tepër, meqë kushtet fatlumura ku rrojnë sundimtarët, u krijojnë mundësi të shumta për t’u shmangur nga rruga e drejtë, duke u dhënë pas qejfeve, jetës së shthurur, duke pranuar lajkat e duke u zhytur në luks, duhet të vënë të gjitha forcat e të përpiqen edhe më tepër që të mos braktisin asnjëherë detyrën, edhe sikur të tjerët ta zhgënjejnë gjatë funksionit të tij. Më në fund (pa folur këtu për intrigat, inatet e sa e sa rreziqe të tjera), mbi kokën e sundimtarit qëndron ai Mbreti i vërtetë (Zoti), i cili pak kohë më vonë do t’i kërkojë llogari deri më një edhe për fajin më të vogël; dhe sa më i madh të ketë qenë pushteti i tij, aq më rreptë do të gjykohet.
Sikur i pari i vendit t’i peshonte mirë në shpirtin e vet të gjitha këto, krahas shumë të vërtetave të tjera të ngjashme (e do ta bënte një gjë të tillë po të ishte i urtë), them se nuk do t’i ndiente më lezetim as gjumit, as ngrënies. Mirëpo në ditët tona, të gjitha këto detyra sundimtarët ua besojnë perëndive, e trajtojnë veten më së miri dhe mbajnë afër vetëm ata, që u thonë gjëra të këndshme, që të mos u prishet humori nga ndonjë shqetësim. Mendojnë se i kanë kryer për mrekulli të gjitha detyrimet e kryeqeveritarit duke dalë për gjah vazhdimisht, duke mbajtur kuaj të zgjedhur, duke shitur magjistraturat e postet e rëndësishme të administratës, për të siguruar sa më shumë fitime për vete, duke shpikur dita-ditës metoda të reja si e si të varfërojnë më sumë qytetarët e t’i kalojnë pasuritë e tyre në arkat e veta. Këtë e bëjnë duke zhvarrosur ca nene ligjesh të harruara, që të duken se po veprojnë në bazë të ligjit, edhe kur sillen krejt padrejtësisht. Shtojnë me qëllim ca lajka për të bërë për vete popullin. Tani, kini mirësinë të përfytyroni (sepse ka të tillë) një njeri që nuk njeh ligjet, që është armik i së mirës së përbashkët, që kërkon të rrojë mirë veç për vete, që është i dhënë pas qejfeve, e urren kukturën, urren lirinë e të vërtetën, që më pak se për çdo gjë mendon për Shtetin, që gjithçka e mat me realizimin e lakmive e të interesave vetjake. Shtojini pastaj gjerdanin e artë, që tregon puqjen e të gjitha virtyteve në një vend; dhe kurorën e stolisur me gurë të çmuar, që i kujton se e ka për detyrë të qëndrojë mbi të tjerët; pastaj skeptrin, simbolin e drejtësisë e të një zemre të pastër; më në fund, vishini rrobën e purpurt, shenjë e një dashurie e kujdesi të jashtëzakonshëm për popullin e vet. Sikur i pari i vendit t’i krahasonte këto emblema me jetën e vet, besoj me të vërtetë se do t’i vinte turp për ato stoli që mban në trup dhe do të kishte frikë se ndokush, që i nuhat hollë gjërat, do ta vinte në tallje tërë atë salltanet teatral.
Po tani, ç’të them për oborrtarët? Këta më të shumtën e herës janë jashtëzakonisht të korruptuar, servilë, budallenj, të neveritshëm e prapëseprapë pretendojnë të jenë të parët në çdo rast. Vetëm në këtë pikë tregohen fare modestë: pasi janë të kënaqur se janë të veshur e të mbuluar me ar, me gurë të çmueshëm, me rroba të purpurta e të tjera emblema të virtyteve dhe të urtësisë, ua lejnë të tjerëve zellin për të vënë në jetë gjërat që simbolizojnë. Për të qenë të lumtur, atyre u del e u tepron privilegji që u lejon ta quajnë mbretin “zotëri”, që kanë mësuar të përshëndesin me tri fjalë, që dinë t’i përsërisin vargas titujt zyrtarë “Shkëlqesi”, “Lartësia juaj”, që kanë mbetur pa cipë në faqe, që dinë të bëjnë lajka në mënyrë të shkëlqyer. Në të vërtetë janë mjeshtëri të denja për një fisnik dhe oborrtar të përsosur.

Përktheu Ferdinand Leka

17 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›