E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çmenden” temperaturat, ngrica mbulon Shqipërinë

I ftohti dhe temperaturat e ulëta kanë “mbërthyer” Shqipërinë, ndërsa siç edhe pritej, në zonën verilindore temperaturat e ulëta kanë filluar të shkaktojnë problemet e para. Në rajonin e verilindjes ka pasur stuhi dëbore dhe akull për shkak të temperaturave të ulëta. Shërbimi sinoptik i Forcave Ajrore në Kukës thotë se në mëngjesin e së shtunës termometri ka shënuar minus 7 gradë Celsius në qytetin e Kukësit, ndërsa në zonat malore raportohet të ketë shkuar në minus 12 gradë Celsius. Moti i ftohtë ka bërë që në rrugët e verilindjes të krijohen vështirësi në qarkullimin e mjeteve për shkak të akullit. Megjithatë, numri i mjeteve që lëvizin në aksin kombëtar Kukës-Tiranë është rralluar. Specialistët nuk harrojnë të porositin drejtuesit e mjeteve për t’u pajisur me zinxhirë dhe të shmangin udhëtimin gjatë orëve të natës, pasi temperaturat ulen ende më shumë dhe mund të përbëjë rrezik. Kështu, rruga Kukës-Tiranë dhe anasjelltas ka zënë akull në pika të ndryshme, duke u kthyer në rrezik për drejtuesit e mjeteve. Drejtori i Rrugëve Rajonale, Rushit Gashi, tha dje se që herët në mëngjes është dërguar një kamion i ngarkuar me kripë, e cila deri në mesditë është hedhur në kthesat e rrezikshme me akull nga Kalimashi në Shëmri dhe më pas kanë vijuar me një ngarkesë tjetër drejt Qafë-Shllakut. Po ashtu edhe për segmentin e rrugës Kukës-Morinë, një kamionçinë e kësaj drejtorie hedh kripë në disa segmente ku rruga ka zënë akull. Sipas burimeve të tjera nga policia, qarkullimi në rrugë ka vijuar, edhe pse në një asfalt me akull, pa shënuar aksidente. Edhe rruga nacionale Kukës-Shishtavec është bllokuar nga pirgjet e dëborës në Novosej, ku po punon një fadromë e Entit të Rrugëve. Temperaturat e ulëta kanë paralizuar në një farë mase edhe aktivitetin e ekonomik dhe tregtar, ku në tregun e përditshëm gati të shumica e shitoreve nuk janë hapur.
Korçë
Në qarkun e Korçës disa zona të largëta të tij gati janë të izoluara, ndërsa nëse situata do të vazhdojë më gjatë, banorët e tyre kërcënohen deri dhe nga mungesa e ushqimeve dhe ilaçeve për ta. Duke iu referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve në Korçë mësohet se akset problematike dhe më i vështiri në juglindje për t’u kaluar është ai në segmentin Ersekë-Leskovik, ku ka dhe shtresa dëbore me një trashësi prej rreth 5 cm. Ndonëse sasia e dëborës në të nuk është shumë e madhe, akulli që ka zënë vend në të e ka bërë atë një rrugë gati të pakalueshme, ndërkohë që dhe vetë lëvizja nëpër këtë segment rrugor është e vështirë dhe kthehet në mision të pamundur edhe se ajo shtrihet mbi një terren tejet të vështirë malor. Gjithashtu, rruga që lidh qytetin e Korçës me komunën e Vithkuqit në zonën e Bollovodës kalohet më vështirësi për shkak të një shtrese të lehtë akulli që gjendet në të. Problematike gjatë dy ditëve të fundit mbetet dhe rruga Korçë-Dardhë. Ndonëse në qarkun e Korçës nuk ka pasur reshje dëbore të shumta, me përjashtim të zonave të thella malore, në rrugët problematike të lartpërmendura nuk është bërë asnjë ndërhyrje për tu hedhur kripë dhe skorie në to, në pritje për të ndërhyrë në ditët në vazhdim. Përsa u përket akseve kombëtare më të rëndësishme të qarkut të Korçës, si ai Korçë-Kapshticë dhe Korçë-Pogradec, rezultojnë të hapura dhe të kalueshme pa probleme nga ngricat dhe akulli. Duke iu referuar burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë në Korçë, mësohet se përsa i përket këtyre dy segmenteve, janë vendosur dhe postblloqe të policisë rrugore për të evituar lëvizjen me shpejtësi tej normave të lejuara dhe në këtë mënyrë aksidentet automobilistike.
Dëbora
Si rrallëherë reshjet e dëborës kanë përfshirë mesditën e djeshme gjithë fshatrat e Lumit të Vlorës. Dëbora ka qenë e përqendruar në fshatrat Kuç, Kallarat, Bolenë, Tërbaç, Gjormë etj., që ndodhen në zonën e quajtur Lumi i Vlorës. Po ashtu dhe rruga që lidh këtë zonë me qytetin e Vlorës është e mbuluar nga dëbora, por deri tani ajo nuk ka shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve. Gjatë paradites së djeshme reshje dëbore ranë dhe në qytetin e Vlorës, për herë të parë pas 6 vjetësh. Ndërkohë që pas gati 20 vjetësh Fieri ndjeu shijen e dëborës. Ka qenë ora 14:00 e ditës së djeshme kur në qytetin Fierit janë shfaqur flokët e parë të dëborës. Fillimisht ka nisur një sqotë e hollë bore gati e shkrirë, por më pas flokët e dukshëm kanë njoftuar të gjithë kalimtarët se shumë shpejt rrugët e Fierit do të zbardhin. Entuziazmi i qytetarëve që janë ndodhur rrugëve të qytetit apo lokalet e tij, ka qenë i madh, por është shuar shumë shpejt. Pas gati 90 minutash gjithçka ka përfunduar. Reshjet e borës kanë mundur vetëm të lagin rrugët e Fierit dhe jo t’i zbardhin ato. Moti i ftohtë në Fier kishte “paralajmëruar” dy ditë më parë për reshje bore pas ndryshimit të menjëhershëm të motit. Gjithashtu duket se ulja e ndjeshme e temperaturave në rajonin e Shkodrës është shoqëruar me ngrica, të cilat kanë krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve në disa akse rrugore, kryesisht në zonat e thella malore. Burime zyrtare nga prefektura e qarkut të Shkodrës thanë se "sipas informacioneve që vijnë nga komuna e Kelmendit, në rrethin e Malësisë së Madhe, qarkullimi i automjeteve në këtë zonë paraqitet i vështirë, pasi ulja e ndjeshme e temperaturave ka krijuar ngrica në pjesën më të madhe të segmenteve rrugore”. Më problematike, sipas të njëjtit burim, situata paraqitet në qendër të Vermoshit dhe përreth tij.

BOX
Parashikimi i motit për ditën e sotme

Tiranë 0 dhe 6
Shkodër -3 dhe 5
Kukës -4 dhe 0
Durrës 1 dhe 8 Peshkopi -7 dhe 0
Kuçovë -2 dhe 7
Gjirokastër 0 dhe 4
Korçë -6 dhe - 1
Lezhë -1 dhe 4
Elbasan 0 dhe 5
Sarandë 1 dhe 8
Vlorë 1 dhe 7

17 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›