Një pyetje në doganë
Jorge Luis BORGES
Oscar Fingal O’Flahertie Wills Wilde, biri i një mjeku sysh me emër, u lind më 16 dhjetor 1854 në Dublin dhe vdiq një mesditë të ftohtë nëntori më 1900, në një dhomë të thjeshtë të hotelit “D’Alsace” në Paris. Një ditë prej ditësh, ai i kish thënë të vëllait: “Tani unë jam ende Oscar Fingal O’Flahertie Wills Wilde, por ashtu siç heq qafe barrën e rëndë drejtuesi i balonës, ashtu edhe unë do të bëhem Oscar Wilde. Kurse për brezat e ardhshëm do të jem thjesht Wilde ose Oscar.” Ai studioi në kolegjin Trinity dhe në Oxford. Si helenist i shkëlqyer që ishte, brodhi tërë Greqinë... Ndryshe nga disa shkrimtarë që mundohen të duken sa më të thellë, Wilde-i, ashtu si edhe Heinrich Heine, zotëronte një thellësi të brendshme, edhe pse përpiqej të dukej i sipërfaqshëm. Kjo lloj “cektësie” i bashkangjitet edhe sot lavdisë së tij.
Ai është përfaqësuesi kryesor i lëvizjes së “Dekadentëve”, një rrymë kjo e kundërt me simbolizmin dhe shkollat e atëhershme, por ndryshe nga kolegët e tij nuk e mori shumë seriozisht. Më 1890 boti Portreti i Dorian Gray-it, ndoshta i ndikuar nga vepra e famshme e Stevenson-it, megjithëse te Wilde të ligjtë kanë tjetër vlerë.
Vite më parë bëri një udhëtim në SHBA dhe, kur gjatë kontrollit doganor e pyetën nëse kishte gjë për të deklaruar, Wilde u përgjigj: “Asgjë përveç gjenisë sime!”
Ai udhëtoi nëpër të gjithë Amerikën dhe mbajti shumë ligjërata. Në New York shpalli parimet e veta estetike; në Texas tregoi se në një lokal kishte lexuar tabelën me mbishkrimin: “Mos e gjuani me gurë pianistin e shkretë, ai bën sa mundet!” Pas një ligjërate në kryeqytetin e mormonëve, Salt Lake City, tha se vinte dorën në zjarr që salla ishte aq e madhe, sa në të kishin zënë vend 14 familje. Që ta sqaronte më tej, vizatoi një skicë, për të treguar se në të majtë të çdo momoni ishin ulur dhjetë gratë e tij dhe në të djathtë fëmijët. Kur u kthye në Londër, deklaroi se zbulimi i Amerikës kishte qenë një gabim fatkeq dhe se Kolombi do të kishte bërë më mirë ta kishte anashkaluar. Ndërsa për ujëvarat e Niagarës mendonte: “Amerikanet e sapomartuara i çojnë aty dhe adhurimi i shtirur është i pari, por kurrsesi më i hidhuri zhgënjim i jetës së tyre martesore.” Kur iu lutën të shkruante një libër me njëqind mijë fjalë kundrejt një shume të konsiderueshme, ai u përgjigj se nuk dinte njëqind mijë fjalë.
Është folur jashtë mase për padinë që iu ngrit më 1895, për ofendim e shpifje ndaj markezit të Queensberry-t, çka çoi në dënimin me dy vjet heqje lirie. Pas daljes nga burgu, duhet të jetë ndier si ai mbreti i sapokthyer nga syrgjynosja. Por kur dëgjoi te një librari që dikush pas kurrizit të tij tha: “Ky është Oscar Wilde-i”, po atë ditë u nis për në Francë. Nuk donte t’i shihte më dritat e Londrës. Në Calais poeti Ernest Dawson, për të shpëtuar nderin e vet, e çoi Wilde-in në një shtëpi publike, ku ky i fundit pasi e bëri atë punë, thirri: ”Nevet again! It was like cold mutton!”
Oscar Wilde-i vdiq më 1900, i harruar e pa një dyshkë në xhep, në një hotel të Parisit. Në kishën 500-vjeçare të Saint Germain des Pres u mbajt një meshë për nder të tij. I zoti i hotelit e shoqëroi kortezhin dhe mbajti një kurorë me mbishkrimin: “A mon locateur”. Gjyqi e burgu për Wilde-in ishin një lloj vetëvrasjeje. Ai vetë i ka thënë André Gide-it: “Doja të njihja të gjitha skutat e errëta të kopshtit tim.” Ishte i sigurt në vetvete, gjithmonë elegant e tip sportiv. Kur studionte në Oxford, tre studentë i hynë në dhomë për t’i thyer koleksionin e tij prej porcelani oriental. Wilde-i i përzuri duke ua ngjeshur ca grushta turinjve.
Ashtu si Rëndësia e të qenit i vendosur (nuk e di ça dashur të thotë Alfonso Reyes, i cili këtë dramë e ka përkthyer në spanjisht “Rëndësia e të qenit i ashpër”), edhe Krimi i lordit Arthur Savile qëndron hirshëm përtej së mirës e së keqes. Bëhet fjalë për një vrasje, por akti i saj kryhet në një botë në sipërfaqshmërinë e plotë të së cilës asgjë nuk është më e vërtetë se bota e stërmenduar fantastike te 1001 netët. Për ta qartësuar këtë, ai lë të kuptohet se i tërë ky rrëfim, ashtu si te Chesterton-i ose Stevenson-i, zhvillohet në një Londër-Ëndërr, ku mbizotëron koncepti islamik për fatalitetin. Si në komeditë e tij me temë shoqërore, Wilde-i sjell në skenë personazhe, absurditeti i të cilëve u jep atyre mundësinë të bëjnë karagjozllëqe tepër të mprehta. Për shembull, përmendim atë zonjën fisnike që, kur hedh sytë në hartën e Australisë, thotë: “Çfarë forme e çuditshme!” Pastaj, si për ta plotësuar: “Në fakt, është ende vend tepër i ri!”
Motivi i Fantazmat e Canterville-it vjen nga një roman kështjellash e fantazmash, por për fatin e mirë të lexuesit Wilde-i e ka shndërruar plotësisht. Në këtë histori zbavitëse, amerikanët nuk i marrin seriozisht fantazmat, por as lexuesi dhe as Wilde-i nuk i merr seriozisht amerikanët. Princi i lumtur, Bilbili e trëndafili dhe Gjigandi egoist janë vërtet përralla, por jo pasardhëse të atyre të vëllezërve Grimm. Ato kanë diçka sentimentale në vetvete, të kujtojnë Hans Christian Andersen-in, e megjithatë përshkohen tejpërtej nga ajo ironi melankolike që është tipike për Oscar Wilde-in.
Koha e tij na duket aq e largët, sa na është kthyer në një relikt muzeal. Por irlandezi i madh, me fatin e tij të trishtueshëm dhe shpirtin e pasur, është bashkëkohësi ynë dhe i shumë brezave të ardhshëm. Përgjigja përfundimtare pozitive, që ai i jep jetës në fund të saj, bën që Wilde-i të jetojë në kujtimet tona sipas stolit të princit danez si një dandy tragjik.
Përktheu Myftar Gjana
17 Dhjetor 2007