E Shtunë, 31 Tetor 2026

Super Bayern, në finalen e Munichut

Bayerni i Munichut është finalisti i dytë i Ligës së Kampionëve, pas Chelseas. Skuadra Bavareze e ka eliminuar me plot meritë Real Madridin në gjysmëfinale. Gjermanët ishin më të saktë nga ekzekutimi i penalltive, pasi të dyja takimet përfunduan baras, 2:1.

Bayerni i Munichut është kualifikuar në finale të Ligës së Kampionëve. Skuadra Bavareze e ka eliminuar në gjysmëfinale Realin e Madridit, pas ekzekutimit të penalltive, në një ndeshje të jashtëzakonshme, të mbushur me emocione, që u zhvillua mbrëmë në Madrid.

Ekipi i Jupp Heynckes ka bërë lojë të shkëlqyeshme në Santiago Bernabeu, duke bërë lojë ofanzive gjatë tërë kohës.

Goli i Bastian Schweinsteiger nga pika e bardhë ka qenë vendimtar për gjigantin gjerman, i cili fitoi 3:1 me penallti.

Ndeshja e rregullt dhe ajo shtesë përfunduan 2:1, njëjtë siç kishte përfunduar takimi i parë në Allianz Arena, javën e kaluar.

Reali e ka nisur vrullshëm takimin, duke realizuar dy gola në harkun e një çerek ore. Për to u përkujdes Cristiano Ronaldo.

Portugezi e shënoi golin e parë në minutën e gjashtë nga penalltia, pasi më parë Alaba e preku topin me dorë, pas një goditjeje të Di Marias. Ndërsa, CR7 e shtoi avantazhin e vendësve në minutën e 14-të.

Në vazhdim, gjithçka ka folur gjermanisht, me Bavarezët që sulmuan vazhdimisht, duke krijuar raste të pastra me Robben, Ribery e Gomez.

Madje, holandezi e ngushtoi rezultatin në minutën e 27-të nga 11 metërshi, pasi më parë Gomez u ndal në zonë nga mbrojtësi Pepe.

Në vazhdim, të dyja skuadrat kanë sulmuar, por nuk e kanë gjetur golin. Ndërkaq, nga pika e 11 metërshit, për Bayernin kanë shënuar Alaba, Gomez e Schweinsteiger, kurse dështuan Lahm e Kroos.

Tek Reali dështuan Ronaldo, Kaka e Ramos, derisa goli i Xavi Alonsos ishte i pamjaftueshëm.

Marrë në përgjithësi, Bayerni shkoi në finale me plot meritë, nëse shikohen të dyja ndeshjet.

Kështu, dy skuadrat spanjolle, Real Madrid dhe Barcelona, i dhanë fund eksperiencës në këtë kompeticion, ndërsa në finalen e Munichut, që luhet më 19 maj, do të përballen Bayern Munich dhe Chelsea.

Liga e Kampionëve

Gjysmëfinalja

Real Madrid – Bayern Munich 2:1 (në penallti 1:3)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›