Reagimet pas mrekullise
Ishte si një dalje nga një ëndërr ajo paraqitje e trajnerëve në konferencën për shtyp pas ndeshjes. Roberto Di Mateo, përtej qetësisë së tij, ndoshta nuk e besonte se gjithçka kishte përfunduar në mënyrë pozitive. Por, italiani mendon se Çelsi i tij duhet lavdëruar për atë që bëri përballë Barçës.
“Mendoj se kur kualifikohesh, kur fiton, sidomos kur nuk humbet asnjë ndeshje, meriton që të jesh në finale. Ne luajmë një stil të ndryshëm nga ai i Barcelonës, ndërsa stili i tyre është unik. Është ndryshe nga ne dhe nuk mendoj se ata e meritonin. Ishim ne që e meritonim. Mendoj se meritën për këtë e kanë lojtarët që janë treguar të pabesueshëm. Ishte një rrugë e vështirë, fillimisht ndaj Napolit, pastaj Benfikës dhe tani ndaj Barcelonës. Kjo tregon cilësinë dhe dëshirën për të qenë në finale”, u shpreh Di Mateo.
Nuk arritën ta fitonin Championsin dy herë radhazi. As Barcelona e madhe nuk ia doli. Pep Guardiola është i dëshpëruar, por ende në këmbë.
“Gjëja e parë që më vjen në mendje, është zhgënjimi. Kjo është e para. Ne luajtëm 180 minuta të jashtëzakonshme. Bëmë gjithçka për të qenë në finale, por këtë vit duhet ta shohim nga shtëpia. Përgëzoj Çelsin për lojën në mbrojtje. Ne dështuam, edhe pse bëmë gjithçka. Kurrë nuk ka ndodhur në gjysmëfinale, që një ekip të ketë bërë kaq shumë sa ne për të merituar finalen. Nuk mund ta kritikojmë Mesin, unë e admiroj totalisht. Sa për të ardhmen time, besoj se do të vazhdoj. Por, do flasim me presidentin për zgjidhjen më të mirë”, deklaroi Guardiola.
E kotë të flasim që tani për përfundim të ciklit të Barçës. Kjo përgjigje do të vijë më vonë. Thjesht le të citojmë një titull gazete: Kualifikimet arrihen, nuk meritohen.