E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça rrënon gjithçka për 1 javë

Barcelona ka humbur gjithçka në harkun e një jave. Humbja nga Real Madridi në shtëpi ia shoi shpresat për t’u konfirmuar kampion në La Liga, kurse barazimi me Chelsean ia mohoi kualifikimin në finale të Ligës së Kampionëve. Duket se dominimit disavjeçar të Barçës në futbollin spanjoll dhe atë evropian po i vjen fundi.

Në kornizën njëjavore, Barcelona rrënoi gjithçka kishte ndërtuar gjatë një sezoni. Skuadra katalunase mbeti duarthatë, pasi dështoi në tri ndeshjet vendimtare të sezonit.

Skuadra e Pep Guardiolës pësoi dy humbje: nga Chelsea 1:0 në Ligën e Kampionëve, nga Real Madridi 2:1 në La Liga dhe barazoi 2:2 me skuadrën londineze në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale, për t’u eliminuar nga kjo garë.

Pak kush e kishte menduar se një superfuqi si ajo katalunase do të mbetej pa asgjë për një periudhë kaq të shpejtë. Messi me shokë shiheshin si favoritë për ta fituar Championsin, ndërsa e kishin mundësinë e artë për ta zënë Realin me ndeshjen që do ta luanin në shtëpi.

Por, Guardiolës nuk i dolën llogaritë, ashtu siç i kishte planifikuar, prandaj ai do të kërkojë të ngushëllohet me Copa del Rey, ku në finale do të luajë me Athletic Bilbaon. A është ky fundi i dominimit të Barcelonës në futbollin evropian dhe atë spanjoll? Shenjat e para vetëm se kanë arritur.

“Nuk mund të shkojmë në Munich, ka ndodhur kjo tashmë. Në 180 minuta kemi bërë gjithçka, por topi hyri në portë”, ishte komenti i parë i trajnerit të zhgënjyer, Pep Guardiola.

“Kemi bërë gjithçka. Ndoshta këtë vi nuk ishte radha jonë dhe këtë duhet ta pranojmë. Ky është sporti. Nuk e di nëse kjo ishte nata ime më trishtuese. Kishim shumë raste, por nuk i konkretizuam. Barça është klub i madh dhe tifozët kërkojnë gjithmonë fitore. Ne po sulmonim edhe kur ishim 2:0. Sidoqoftë, i bëj komplimente Chelseas”, shtoi spanjolli.

Ai e ka mbrojtur yllin argjentinas Lionel Messi, i cili e humbi penalltinë, që mund të ishte edhe çelësi kryesor i kualifikimit. Natyrisht, një klub si Barcelona nuk mund të mbetet pa trofe të rëndësishëm. Prandaj, mediet kanë filluar të spekulojnë se Pep do të ndahet me Barçën në fund të sezonit.

“Në ditët e ardhshme do të dini më shumë rreth të ardhmes sime. Shumë shpejt do ta dini nëse do të nënshkruaj apo jo”, ka qenë i prerë trajneri më i suksesshëm në historinë e Barcelonës, të cilin mediet e shohin më afër Milanit.

Ndërkohë, drejtuesit e Barcelonës janë optimistë që Guardiola do ta vazhdojë bashkëpunimin me gjigantin katalunas. Një fakt interesant është se Barcelonës nuk po i ecën me skuadrat kundërshtare që kanë fanella të bardha. Rasti i fundit ishte ai i Chelseas, të cilit i mjaftoi barazimi 2:2 për ta eliminuar ekipin nga Camp Nou.

Disa ditë më parë, Barça u mposht edhe nga Reali i bardhë, duke i humbur të gjitha shpresat për titull të kampionit. Ndërkaq, në vitin 2010 ishte Jose Mourinho, i cili me Interin e tij, në atë ndeshje komplet i bardhë, e rrëmbeu një biletë për finalen e Madridit. I vetmi rast kur Blaugrana nuk dështoi, ishte çerekfinalja e këtij sezoni ndaj Milanit, që po ashtu luajti me të bardha.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›