E Shtunë, 31 Tetor 2026

Super Mario shkatërron Gjermaninë, finalja Spanjë-Itali

—-Nga Rozalb Lika—-

Supersfida mes Gjermanisë dhë Italisë është mbyllur me fitoren e të kaltërve 2-1. Skuadra e Lëvit nuk shfaqet ashtu siç pritej përballë një Italie që luan bukur dhe shfrytëzon çdo mundësi për të kaluar në finale ku e pret Spanja. Super Mario ka thyer rivalët historike të axurrëve me dy gola mjaft të bukur.

Për panzerat nuk kanë mjaftuar 15 fitoret rresht për të thyer ushtarët e Prandelit që po kalojnë një formë të jashtëzakonshme. Pathyeshmëria e gjermanve që zgjati edhe me 4 ndeshjet e këtij evropiani, u thye brenda 90 minutave. Rastet në të dyja portat ishin shumë të pakta, por Italia ishte me e saktë në finalizim. Të kaltrit vinin mbas një lodhje të madhe në çerekfinalen ndaj Anglisë ndërsa u treguan të barabartë në përgatitjen fizike.

Ndeshja nisi me një ritem më të mirë nga Gjermania që rrezikoi në minutat e para. Montolivo dhe Kasano provojnë nga distanca për të dhënë disa sinjale kërcënuese Nojerit. Pas një veprimi të mrekullueshëm të Kasanos nga  e majta në minutën e 20-të, Baloteli përfiton nga një krosim i ëmbël dhe e dërgon topin në rrjet. Në minutat në vijim të lojtarët italianë luajnë mirë taktikisht. Me anë të një topi të mrekullueshëm nga Montolivo, Baloteli gjendet përballë Nojerit. Mario nuk gabon dhe me anë të një goditje me shumë potencë e lë në vend portierin gjerman.

Fraksioni i dytë i lojës nis me dy zëvëndësime të panzerat, Klose dhe Reus zëvëndësojnë Gomezin dhe Podolskin, të dy në hije gjatë pjesës së parë. Të besuarit e Lëv provojnë në të gjitha mënyrat për të mposhtur Bufon, por asgjë nuk konkretizohet. Vlen për tu përmenduar një pritje e mrekullueshme nga Bufon nga nje goditje tepër e rrezikshme nga goditja e lirë e Reus. Di Natale i hedhur në fushë në vendin e Balotelit dhe Markizio humbasin dy raste mjaft të pastra përballë Nojer.Emocionet shtohen në fund kur Balzareti prek topin me dorë. Nga pika  e bardhë nuk gabon Ozil që e rihap ndeshjen por është shumë vonë pasi ishte minuta e 92-të.

Ëndrra e Italisë vazhdon dhe një përsëritje e suksesit të 2006-tës është mëse i mundshëm duke parë lojën e skuadrës së Prandelit. Beteja e 1 Korrikut do të jetë mes Spanjës dhe Italisë. Të kaltrit mund të thyejnë dominimin e iberikve në këto sezonet e fundit. Fjala e fundit do i mbetet supersfidës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›