Çështja “Çame” në Kuvend, Idrizi: Do ndërmarrim të gjitha hapat për zgjidhjen
Dashamir Tahiri: Rezoluta në parlament, hapi i parë i zgjedhjes së çështjes Çame
Kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet Shpëtim Idrizi në emër të Klubit të Patrioteve të rinj i ka dhuruar të gjithë deputetëve materiale mbi genocidin ndaj shqiptarëve të Çamërise dhe ka kërkuar një angazhim më të gjerë për zgjidhjen e çështjes çame. Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet; Shoqata Çamëria; Klubi i Patriotëve të rinj, kanë organizuar JAVËN E ÇAMËRISË me moton: “Unë e dua Çamërinë”. Kreu i PDIU-së, Idrizi tha se “ndërsa merreshim me organizimin dëshironim, që jo vetëm çamët, por të gjithë shqiptarët, e në veçanti brezi i ri, të kuptojnë se pse ne e duam Çamërinë”. “Pse ne të gjithë duhet ta duam Camërinë! Po ju them shkurt pse ne shqiptaret e çamërise e duam Çamërinë, e për të nxitur dhe tek ju shumë arsye për t’a dashur; Ne e duam Çamërinë! Sepse Çamëria është dheu i të parëve tanë, ku janë varret e gjyshërve, stërgjyshërve, katragjyshërve tanë; Sepse, atje janë gjurmët më të vjetra të ekzistencës sonë njerëzore; Sepse, aty janë themelet e autoktonisë sonë, domethënë, pse ne kemi qenë dhe jemi gjithmonë aty, në ato vise të mrekullueshme; Sepse, atje janë gjurmët e vijimësisë sonë etnike, kulturore, fetare dhe gjeografike, e pse jo dhe kanunore, dmth të ligjit zakonor shqiptar;
Sepse, atje ka lindur dhe është rritur folklori ynë i mrekullueshëm; Sepse në Çamëri kanë lindur mitet më të rëndësishme të Europës. Ne e duam Çamërinë, akoma dhe më shumë, sepse një pjese të mirë të parardhësve tanë, u vranë, u masakruan, u bënë subjekt të një genocidi të pashembullt, vetëm pse ishin shqiptarë. Si sot 67 vjet më parë, në dheun e tyre u vranë rreth 3000 vetë, kryesisht, gra, pleq, e fëmijë, sipas manualeve më të suksesshëm të filmave horrorë, që mendjet e mbrapshta ballkanike gjithmonë i kanë në honet e kujtesës së tyre; rreth 2960 të tjerë vdiqën në kufirin artificial të Camërisë me Shqipërinë, në Kllogjer. E thënë kështu u shfaros gati 20 % e popullsisë së shpërngulur”- u shpreh kreu i PDIU-së.
Idrizi kërkoi që të miratohet rezolutë për çështjen çame, pasi sipas tij çështja çame, është çështje ndërkombëtare. Ai deklaroi se PDIU do ndërmarrë hapa për zgjidhjen e kësaj çështjeje. “Ne mendojmë se ka ardhur koha që të miratohet përfundimisht një Rezolutë mbi çështjen çame, e cila ta sanksionojë përfundimisht futjen e kësaj çështjeje në axhendën tonë kombëtare.
Ky parlament nuk është si parlamenti i 2004-ës, ku ndërgjegja kombëtare mungonte me tepri. Apo kur anëtarët e Shoqatës Çameria rriheshin e gjakoseshin në dyert e parlamentit të shqiptarëve. Në këtë parlament të gjithë deputetët vlejnë njëlloj dhe ne shqiptarët e Çamërisë ju konsiderojmë të gjithëve si burra e gra me dinjitet e patriotë. PDIU-ja do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që ta shtyjë parlamentin t’a miratojë rezolutën, qoftë dhe duke i bërë thirrje vullnetit të qytetareve Shqiptare anembanë kombit”- tha Idrizi.
Dashamir Tahiri: Rezoluta në parlament, hapi i parë i zgjedhjes së çështjes Çame
Deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri ftoi sot ligjvënësit e parlamentit shqiptar, që të mbështesin rezolutën për çështjen Çame. Tahiri tha se shumë shpejt rezoluta do jetë në parlament dhe ndaj kërkoi vëmendjen e anëtarëve të Kuvendit. “Dje ishte dita e 27 qershorit, ditë e njohur nga parlamenti i Shqipërisë si dita e Genocidit ndaj Shqiptarëve të Çamërisë. Ky është hapi që ka bërë deri tani ky parlament për çështjen çame. Por ne nuk do ta lëmë deri këtu, pasi çështja çame na takon të gjithë shqiptarëve, teksa është pjesë e pandashme e çështjes kombëtare. Prandaj, ju ftoj që të kalojmë rezolutën që do të vij shumë shpejt në Kuvend”- tha ai.