E Shtunë, 31 Tetor 2026

Super duel në Mitrovicë

Dy kandidatët për titull të kampionit, Trepça ’89 dhe Prishtina do të ballafaqohen të dielën në Mitrovicë, në derbin e xhiros së tetë të Superligës. ‘Xehetarët’ synojnë t’ia shkaktojnë liderit aktual humbjen e parë në këtë sezon, derisa bardhekaltrit janë optimistë se do të dalin të pamposhtur nga stadiumi ‘Riza Lushta’. Nga Valon Konushevci më 02 tetor 2011 në ora 13:30

Trepça ’89 do ta sfidojë liderin aktual të Superligës së Kosovës në futboll, Prishtinë, në derbin e xhiros së tetë, i cili zhvillohet të dielën në stadiumin ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë.

Pa dyshim se ky takim pritet të jetë mjaft interesant dhe do të mbledhë numër të madh shikuesish për faktin se do ballafaqohen dy skuadra me traditë në futbollin kosovar, të cilat sivjet objektiv e kanë titullin e kampionit.

Prishtina aktualisht është e para në renditjen tabelore me 17 pikë të tubuara, katër më shumë sesa Trepça ’89, e cila pozicionohet në vendin e njëmbëdhjetë. Bardhekaltrit deri më tani i kanë shënuar pesë fitore, derisa në dy duele kanë luajtur baras. Mirëpo, mitrovicasit synojnë që të dielën ta shfrytëzojnë maksimalisht përparësinë e terrenit për t’ia shkaktuar ekipit kryeqytetas humbjen e parë në këtë stinor.

“Pas padrejtësive në ndeshjet e kaluara, ne jemi përgatitur maksimalisht dhe është për të ardhur mirë se si futbollistët kanë arritur të mobilizohen shpejt pas asaj humbjeje tashmë të njohur nga Hysi. Jemi përgatitur mirë për t’i arkëtuar tri pikë të reja, edhe pse jemi të vetëdijshëm se do ta kemi shumë të vështirë”, ka deklaruar trajneri i ‘Xehetarëve’, Gani Sejdiu, skuadra e të cilit deri më tani i ka regjistruar tri fitore, kurse i ka pësuar dy humbje dhe dy herë të tjera ka luajtur baras.

Ndërkohë, kryeqytetasit janë të vetëdijshëm se të dielën i pret një sfidë e vështirë. Të rralla janë ato ndeshje prej të cilave Prishtina do të ishte e kënaqur ta nxirrte qoftë edhe një barazim. Bardhekaltrit janë të vetëdijshëm për fuqinë që ka Trepça ’89. Andaj, ata do të ishin të kënaqur sikur ta nxirrnin vetëm edhe një pikë nga ‘Riza Lushta’.

“Ne do ta japim maksimumin në këtë takim, që nuk do të jetë aspak i lehtë dhe për këtë jemi shumë të vetëdijshëm. Mendoj se me angazhim maksimal do të vijmë deri te një rezultat pozitiv. Në opsion mund të jetë edhe barazimi, pasi ne i njohim cilësitë e kundërshtarit dhe duhet kuptuar se ata janë vendas dhe kanë përkrahjen e madhe të publikut si gjithherë kur ne luajmë atje”, ka thënë trajneri i nënkampionit aktual, Ramiz Krasniqi.

Ndeshje interesante do të zhvillohet edhe në Gjakovë, ku Vëllaznimi do t’i matë forcat me Trepçën, derisa në Merdar, kampioni aktual, Hysi do të sfidohet nga Lepenci, i cili po kalon nëpër një krizë të rezultateve.

Superliga – xhiroja e 8-të
E diel
Vëllaznimi – Trepça
Hysi – Lepenci
Trepça ’89 – Prishtina
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›