E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen për ndërkombëtarizim

Duke themeluar federata të reja, Ministria e Sportit dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) po mundohen ta përshpejtojnë procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar. Me ndërkombëtarizimin e federatave të posathemeluara - Lundrimit dhe Pentatlonit Modern, gjatë këtij viti pritet t’i hapet rrugë KOK-ut për inkuadrim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Nga Valon Konushevci më 02 tetor 2011 në ora 14:01

Ministria e Sportit dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) kohëve të fundit po punojnë intensivisht për ta ndërkombëtarizuar sa më shpejt sportin kosovar, në të cilin segment, vendi ynë ka ngecur shumë mbrapa.

Aktualisht vetëm tri federata sportive të Kosovës janë të anëtarësuara me të drejta të plota në federatat përkatëse ndërkombëtare. Në vitin 2003, ishte ndërkombëtarizuar Federata e Pingpongut, kurse pesë vjet më vonë qe ndërkombëtarizuar edhe Federata e Peshëngritjes, derisa para pak muajve një gjë të tillë e bëri edhe Federata Shigjetarisë.

Mirëpo, ky numër nuk i mjafton KOK-ut për të aplikuar për inkuadrim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON), me ç’rast pjesëmarrja e sportistëve kosovarë në Olimpiadën ‘Londra 2012’ nuk është aspak e sigurt. Fillimisht, Kosova duhet t’i ketë pesë sporte olimpike të ndërkombëtarizuara, në mënyrë që KOK-ut t’i hapet rruga për të aplikuar në KON.

Meqenëse federatat e sporteve të tjera vazhdimisht po hasin në telashe të mëdha dhe të ndryshme për t’u ndërkombëtarizuar, KOK-u në bashkëpunim me Ministrinë e Sportit qysh më herët kanë nisur ta implementojnë një strategji për të dalë nga ky qorrsokak.

Në fakt, Ministria e Sportit dhe KOK-u po themelojnë federata të reja sportive në vendin tonë, të cilat mendohet se do ta kishin më të lehtë të anëtarësohen në federatat përkatëse ndërkombëtare, me qëllim që t’i hapet sa më shpejt rruga institucionit më të lartë sportiv në vendin tonë për të aplikuar për pranim në KON. Kështu, brenda një kohe të shkurtë, në Kosovë u themeluan dy federata të reja – ajo e Lundrimit dhe së fundmi e Pentatlonit Modern dhe shpejt pritet të themelohen edhe dy të tjera.

Besim Hasani, kryetar i KOK-ut, beson se këto dy federata të reja do ta përshpejtojnë procesin e njohjes së Kosovës nga ana e KON-it. “Këto dy federata tani i plotësojnë të gjitha kriteret për t’u anëtarësuar në federatat përkatëse ndërkombëtare. Nuk kanë probleme statutare, por mund të kenë pengesa të natyrave të tjera, mirëpo ne duhet të lobojmë për t’i ndihmuar ato që t’i kalojnë problemet e tjera të mundshme dhe të ndërkombëtarizohen”, deklaroi Hasani për Express.

“Të dyja ato federata shumë shpejt do të aplikojnë për pranim. Kurse, aplikacionet e tyre, pritet të shqyrtohen në kongreset e federatat përkatëse ndërkombëtare, që mbahen në muajin nëntor. Gjasat janë të mira që ato të ndërkombëtarizohen shpejt dhe jemi optimistë se do t’ia dalin mbarë”, u shpreh ai.

Kështu, Hasani beson se brenda këtij viti, institucionit që e drejton ai do t’i hapet rruga për të aplikuar për inkuadrim në KON. “Ne besojmë se si KOK, deri në fund të këtij viti do ta përmbushim atë kriterin teknik për të aplikuar për pranim në KON. Ndërsa, besojmë se aplikacioni ynë do të shqyrtohet në Kongresin e KON-it, qysh në fillim të vitit që vjen”, theksoi Hasani.

Ai është optimist se atëherë KON-i nuk do të mund ta refuzojë kërkesën e sportistëve kosovarë për të qenë të barabartë me sportistët e vendeve të tjera botërore. “Si KOK, i plotësojmë të gjitha kriteret. Statuti dhe të gjitha rregulloret i kemi të hartuara konform atyre të KON-it. Madje, nëse deri atëherë Republika e Kosovës i bën 103 njohje ndërkombëtare, atëherë KON-i, i cili i ka 204 vende anëtare, assesi nuk do të mund të na refuzojë”, pohoi ai.

Federatat sportive të Kosovës vazhdimisht po refuzohen nga federatat përkatëse ndërkombëtare, me arsyetimin se Kosova nuk është e njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe se KOK-u ende nuk është anëtar i KON-it. Vetëm tri sporte olimpike të Kosovës deri më tani janë ndërkombëtarizuara me të drejta të plota. Ndërkohë, katër federata të tjera janë të ndërkombëtarizuara, por me kufizime. Ato janë Federata e Hendbollit, Xhudos, Mundjes dhe Skijimit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›