E Diel, 1 Nëntor 2026

Superiorja në ekranet e "SuperSport" dhe TVSH

Pas firmosjes së dhjetë klubeve të Kategorisë Superiore, ka përfunduar edhe tenderi për transmetimin e kampionatit në Shqipëri dhe Kosovë. Fituese janë shpallur paketat sportive "SuperSport" dhe Televizioni Shqiptar (TVSH), të cilat kanë paraqitur ofertën më të lartë financiare. Jashtë paketës mbeten dy prej skuadrave më të rëndësishme, Dinamo dhe Tirana. Blutë janë shprehur që prej fillimit të negociatave kundër bashkëpunimit me kompaninë "UFA Sports", e cila është kujdesur për shitjen e të drejtës televizive brenda vendit, ndërsa po negocion edhe për transmetimet në vendet ku ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, ku piaca më e rëndësishme është padyshim Greqia. Ndërsa çështja e Tiranës është krejt e ndryshme. Përgjatë gjithë kohës, drejtuesit e klubit 24-herë kampionë kishin shprehur miratim për procesin, por në momentin vendimtar, atë të hedhjes së firmës, ata nuk u paraqitën. Presidenti Refik Halili bëri të ditur se do të rinegocionte kushtet e kontratës, duke i cilësuar ato të papranueshme. Një veprim i kundraligjshëm ky sipas sekretarit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduart Prodani. "Marrëveshja për shitjen e të drejtave televizive dhe akordi për transmetimin e ndeshjeve nuk e përfshin Dinamon. Gjithsesi, jemi në proces negocimi që ata t‘i bashkohen paketës", tha numri 2 i institucionit që drejton futbollin. "Në anën tjetër, për sa i takon Tiranës, në të gjitha konsultimet e mëparshme drejtuesit e këtij klubi kanë qenë dakord. Por, të enjten ata nuk u paraqitën për të firmosur kontratën. Kjo për ne nuk përbën asnjë problem, pasi do të vazhdojmë përpara: ne shesim të drejtën e kampionatit shqiptar. Duhet të keni parasysh se me ligj Tirana dhe Dinamo duhet të bëhen pjesë e paketës për të drejtat televizive, sepse na takon si Federatë. Kjo pavarësisht faktit se në të kaluarën nuk e kemi ushtruar këtë të drejtë dhe klubet i shisnin të drejtat e transmetimit të ndeshjeve sipas dëshirës".

Kostas Elefteriadhis, përfaqësuesi i kompanisë gjermane "UFA Sports", beson se oferta e mbërritur do t‘u sigurojë klubeve përfitime më të mëdha për arkat e tyre, në krahasim me vitet e kaluara. "E gjithë kjo marrëveshje në tërësi është një sukses për futbollin shqiptar, sepse duke filluar që prej këtij sezoni, klubet do të sigurojnë përfitime më të mëdha se në të kaluarën. Dëshiroj të falënderoj "SuperSport" dhe TVSH-në, të cilat ishin fitueset e tenderit. Firma mes palëve ende mungon, kemi edhe disa detaje teknike për të përfunduar këtë marrëveshje 3-vjeçare", tha ai. Për të përfituar nga teknologjia e lartë, "SuperSport" kishte kërkuar transmetim e ndeshjeve të Kategorisë Superiore edhe në celular, një kërkesë së cilës "UFA Sports" nuk mund t‘i përgjigjej, sepse ajo nuk ishte parashikuar në marrëveshje. Një ndeshje në javë do të transmetohet nga TVSH, ndërsa takimet e tjera tifozët shqiptarë do të mund t‘i shohin në paketën "SuperSport". Për shkak të vonesave në arritjen e marrëveshjes, gjatë kësaj fundjave do të transmetohet vetëm supersfida Vllaznia-Dinamo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›