E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana i premton Halitit fitoren me Besën, Lonçareviç hyn garant

Starti jo i mirë i Tiranës në këtë fillim sezoni nuk ka bindur. Dy fitoret minimale me Skënderbeun (1-0) e Gramozin (1-0), të shoqëruara këto edhe me humbjen e javës së parë kundër Flamurtarit (1-3) në kryeqytet e kanë shqetësuar drejtuesit e lartë të klubit bardheblu. Takimi i sotëm me Besën shikohet si i një rëndësie të veçantë, pasi luhet përballë një skuadre, e cila pas tre fitoreve në tre ndeshjet e para i është imponuar sezonit 2009-2010 si një pretendonte për titull. Një gjë e tillë ka zbritur në fushën sportive "Skënder Halili" edhe presidentin Refik Halili. Ky i fundit, pasi ka ndjekur seancën e fundit stërvitore, është takuar edhe me futbollistët për t‘ju dhënë kurajë në prag të një sfide delikate si kjo. Ndërsa lojtarët nga ana e tyre i kanë premtuar atij fitoren ndaj Besës. Garant për realizimin e këtij premtimi ka hyrë edhe trajneri Ilija Lonçareviç, i cili më pas ka theksuar për gazetarët se ka besim të plotë te skuadra për marrjen e 3 pikëve nga kjo ndeshje: "Jemi mirë dhe shpresojmë të fitojmë". Në fakt, Tirana do të përballet të shtunën pikërisht me kavajasit, një prej skuadrave që ka zhvilluar merkato të fuqishme, dhe për më tepër ka në pankinë Shpëtim Duron, një ish-ndihmës i trajnerit të Kombëtares shqiptare, kroatit Oto Bariç. Trajneri 64-vjeçar hë për hë u është kënaqur pikëve të plota me skuadrat e ardhura nga një kategori më poshtë, kjo nisur edhe nga mungesat e shumta që ka pasur skuadra. Lonçareviç nuk do të ketë në dispozicion të dëmtuarit Memelli, Mukaj, Devolli e Dabulla dhe të skualifikuarin Nallbani. "Kemi disa mungesa të rëndësishme, sqaron më tej tekniku kroat. Nuk mund të them një datë se kur do të jemi më të fuqishëm, pasi kemi ende shumë mungesa, pra do të nevojitet dhe pak kohë për të bërë një skuadër shumë të fuqishme. Kjo është arsyeja që s‘kemi prodhuar lojë dhe aq të mirë, pasi jemi duke eksperimentuar me pozicionet, si pasojë e mungesave". Lonçareviç e ka studiuar kundërshtarin dhe kërkon respekt për ta. "Besa është kundërshtar i vështirë dhe unë e di mirë se kjo është një sfidë shumë e rëndësishme". Gjithsesi ai beson se grupi i futbollistëve të tij do ta fitojë këtë ndeshje. "Unë kam besim të plotë se fiton Tirana. I gjithë problemi qëndron te koka jonë, te mendja jonë: nëse duam, e arrijmë gjithçka". Trajneri bardheblu i shikon si faktor pozitiv, që takimi do të zhvillohet me drita, një gjë që ia shton atij optimizmin, ndoshta edhe sepse kavajasit nuk janë mësuar të luajnë në kushte të tilla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›