Superliga, ‘peng’ i kohës
Sezoni pranveror i Superligës së Kosovës në futboll është paraparë të fillojë këtë fundjavë, pas një pauze të gjatë. Mirëpo, moti i ligë që pritet të mbretërojë në Kosovë në ditët në vazhdim, mund t’i detyrojë udhëheqësit e futbollit kosovar që ta shtyjnë për një datë tjetër fillimin e pjesës së dytë të kampionatit.
Ueb faqja meteorologjike accuweather.com, që merret me parashikimin e motit, parasheh që gjatë javës të ketë reshje bore dhe shiu, të cilat do ta përkeqësojnë gjendjen edhe ashtu të mjerë të fushave nëpër stadiumet kosovare.
Komisioni i Garave (KG) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) do të mblidhet të martën për ta shqyrtuar, nëse arrin ndonjë kërkesë eventuale nga ndonjëri klub, për shtyrjen e fillimit të sezonit pranveror.
“Komisioni i Garave do ta shikojë nëse do të arrijë nesër (të martën) ndonjë kërkesë për shtyrje të kampionatit, për t’i shqyrtuar më pas ato dhe për ta marrë një vendim përfundimtar”, tha zyrtari i administratës së FFK-së, Bajram Neziri.
Në anën tjetër, as nënkryetari i FFK’së, Agim Ademi nuk e ka përjashtuar mundësinë që pjesa e dytë e kampionatit të shtyhet për ndonjë datë tjetër, nëse kushtet për lojë do të jenë të vështira për shkak të motit të lig.
Javën e kaluar ishte paraparë zhvillimi i ndeshjeve të Kupës së Kosovës, por FFK kishte vendosur t’i shtynte ato për shkak të motit të ligë.
Drenica kërkon shtyrjen e ndeshjes me Prishtinën
Drenica është ekipi i parë që ka bërë kërkesë në FFK për shtyrjen e ndeshjes së saj me Prishtinën, e cila është paraparë të zhvillohet në fundjavë. Trajneri Tahir Lushtaku thotë se kërkesa e drenicasve bazohet në dy pika.
“Më 7 mars është festë, është Epopeja e UÇK-së, për këtë kemi kërkuar shtyrjen e ndeshjes. Pastaj dihet se ne këtë ndeshje do ta luajmë pa shikues, kështu që nuk do të ishte korrekte të mos ketë shikues në gjithë atë festë që do të mbretërojë në Drenicë. Për këtë kërkojmë nga FFK që takimin me Prishtinën ta zhvillojmë pas 2-3 ditësh”, tha Lushtaku i cili beson se kërkesa e kuqezinjve do të miratohet nga organet përkatëse të FFK-së.
Në të kaluarën kemi qenë disa herë dëshmitarë të shtyrjes së kampionatit, për shkak të motit të ligë. Edhe pse futbolli kosovar po pushon tash e 3 muaj, moti i ligë mund t’i detyrojë drejtuesit e futbollit kosovar që ta marrin sërish të njëjtin vendim.