E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjen Bursaspor ?

Kampioni i Turqisë, Bursaspor ka gjasa të zbarkojë në Prishtinë në fund të muajit mars, për ta zhvilluar një ndeshje miqësore me përfaqësuesen e Kosovës. Përveç ekipit turk, drejtuesit e futbollit kosovar kanë edhe disa opsione tjera. Nga Valon Konushevci më 01 mars 2011 në ora 13:27

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po bën përpjekje që ta gjejë një ekip kundërshtar për ta zhvilluar një ndeshje miqësore kundër përfaqësueses së Kosovës më 26 ose 29 mars.

Duket se udhëheqësit e futbollit kosovar janë në rrugë të mirë që ta aranzhojnë këtë miqësore. Sipas nënkryetarit të FFK-së, Agim Ademi, kampioni turk, Bursaspor, sipas të gjitha gjasave, në fund të muajit mars do të zbarkojë në Prishtinë.

“Sipas të gjitha gjasave, do të luajmë me Bursasporin. Normalisht, ndeshja duhet të zhvillohet në Prishtinë, sepse punimet në stadiumin e kryeqytetit janë në fazën përfundimtare”, deklaroi Ademi për Express.

Sipas tij, në opsion mbetet edhe ndeshja eventuale ndaj Kombëtares shqiptare, apo kundër ndonjë ekip të Bundesligës gjermane.

“Në opsion është edhe Shqipëria dhe një ekip gjerman i Bundesligës. Por, ndeshjen e parë të radhës, sipas të gjitha gjasave, do ta zhvillojmë me Bursasporin, sepse ndaj kësaj skuadre qysh moti kemi mundur të luajmë, por e patëm lënë vetëm caktimin e datës”, u shpreh Ademi.

“Kurse, me ndonjërin ekip të Bundesligës do luajmë më vonë. Fadil Vokrri është takuar me nënkryetarin e Federatës gjermane dhe posa ta zhvillojmë takimin pasues, do ta aranzhojmë ndonjë datë për të luajtur ndaj ndonjë ekipi të Bundesligës”, vazhdoi ai.

Sipas Ademit, FFK-ja do të bëjë çmos që në një të ardhme jo të largët ta sjellë në Kosovë edhe Dinamon e Zagrebit, e cila brenda dy viteve ka anuluar dy herë ardhjen në vendin tonë.

“Pasi e anuluan ardhjen në Kosovë, zyrtarët e Dinamos kanë deklaruar se do të vijnë më vonë në Kosovë, atëherë kur FFK-ja është e gatshme. Dhe, ne sigurisht se në një të ardhme do t’i ftojmë kroatët”, përfundoi Ademi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›