Superliga, 2 bien direkt, 2 në play-out

Dy skuadrat e renditura të fundit ne Kategorine Superiore do të bien direkt në Kategorinë e Parë, ndërsa vendi i 9-të dhe i 10-të do të luajnë ndeshje play-out me skuadrat që renditen në vendin e 3-të dhe të 4-t të Kategorisë së Parë. Ky ishte edhe vendimi më i rëndësishëm i marrë në mbledhjen e stërzgjatur (6 orësh) të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. "Kupola" vendimmarrëse e qeverisë së futbollit shqiptar ashtu sic dhe pritej u fali dënimet dy ekipeve të përjashtuara për shkak të përdorimit të dhunës, Burrelit dhe Tomorit. Kategoria e Parë ndryshe nga një sezon më parë kur merrnin pjesë 14 ekipe në sezonin e ri do të jetë me 18 skuadra të cilat do të zhvillojnë një kampionat me dy faza me sistemin vajtje-ardhje. Për këtë Komitetit Ekzekutiv iu desh të pranonte ngjitjen në Kategorinë e Parë, të dy skuadrave të renditura të dytat në dy grupet e Kategorisë së Dytë gjatë sezonit 2006-2007: Naftëtarit nga Grupi I dhe Skraparit nga Grupi 2.
Jashtë vëmendjes së FSHF-së nuk ishte as vendimi për të falur dënimin e trajnerit të Vllaznisë, Mirel Josa, ndërsa lojtarëve iu falën vetëm gjobat financiare, por jo pezullimet 3-javore. Klubi Vllaznia do të paguajë gjobën e vendosur më parë nga Komisioni i Disiplinës. Ndër vendimet e tjera ishin dhe ato të shtyrjes për 25 ditë të afatit të pranimi të dokumentacionit të klubeve për licencimet e sezonit 2007-2008. si dhe shtrimin e fushave të minifutbollit me bar sintetik të Dinamos (2) dhe Kukësit (1).