E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga Ne fundjave luhet kryendeshja Skenderbeu-Teuta

Kombëtaren e lemë pas pa shqetësim. Skënderbeu dhe Teuta ndeshen në fundjavë për Superligën, pra do të kemi sërish futboll që ia vlen të shihet.
Të shtunën pasdite luan vendi i parë me vendin e dytë, madje edhe kampionia me nënkampionen.
Sezonin e kaluar, renditja ishte po e tillë dhe durrsakët fituan 1-0 në Korçë me golin e shënuar nga Çota.
Vendasit kanë lajme të mira pasi sulmuesit kryesorë, Pero Pejiç dhe Sebino Plaku do të jenë të gatshëm për të luajtur.
Vetëm Tomiç dhe Çaushaj do të mungojnë, ndërsa trajnerit Josa i janë rikthyer nga kombëtarja portieri Shehi e mesfushori Lilaj.
Teuta e trajnerit Magani është e detyruar të jetë ambicioze për të ruajtur vendin e dytë, që i kërcënohet nga Flamurtari e Kukësi.
Pritet të ketë publik në stadiumin “Skënderbeu” dhe nga ana e policisë janë marrë masat për të pasur 250 forca të gatshme, për të shmangur çdo të papritur.
Në javën e 20-të, të shtunën luajnë edhe Flamurtari-Besa, Luftëtari-Bylis, Apolonia-Laçi e Kukësi-Shkumbini, ndërsa të dielën në fushë janë Vllaznia-Tomori e Kastrioti-Tirana.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›