E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga/ Shkumbini mposht 2-0 Apolonine

Ka mjaftuar një fitore në shtëpi për të lënë pas shijen e hidhur të humbjes së rëndë javën e parë në Ballsh. Shkumbini nuk e tradhëtoi as këtë herë epitetin që ka si skuadër fushe, duke mundur 2-0 Apoloninë në javën e dytë të Superligës dhe duke balancuar pozicionin e tij në renditje.

Ka pasur më shumë dëshirë dhe presion nga ana e skuadrës vendase për të arritur një fitore tepër të rëndësishme ndaj një rivali që mund të jetë kundërshtar direkt në luftën për të mos rënë një kategori më poshtë. Gjithsesi, nuk ka qenë e lehtë, pasi fierakët kanë rezistuar thuajse një pjesë të plotë loje dhe janë thyer vetëm në përfundim të fraksionit të parë të takimit. Autor i golit lehtësues për Shkumbinin dhe tifozët e tij ka qenë Kelmend Xhyra që gjuajti saktë duke e dërguar topin në rrjetë.

Çerek ore pushim nuk e uli aspak entuziazmin vendas dhe shumë shpejt u shënua goli i dytë, ai i sigurisë. Këtë herë shënoi një djalosh fare i ri, një 17-vjeçar i quajtur Sulkja që mposhti në duel ajror mbrojtësit fierakë. Një lojtar i ekipeve zinxhir krijon momente feste në qytetin e tij.
Më tej, nuk pati ndryshim rezultati, megjithë përpjekjet e të dyja palëve. Shkumbinit i mjaftuan dy gola, ndërsa Apolonia nuk pati forcë për të ndryshuar shifrat dhe situatën. Pra, të dyja skuadrat janë me 3 pikë pas dy ndeshjeve, diçka krejt normale në një kampionat ku ekipet dallohen kryesisht kur luajnë brenda fushe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›