E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luani në Kosovë!

Federata e Hendbollit e Kosovës të premten u ka dalë në mbrojtje Prishtinës, Kastriotit (femrat) e Besës (meshkujt), të cilat po pengohen për të udhëtuar drejt shteteve të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, për të luajtur në kuadër të garave evropiane. Shtëpia e hendbollit kosovar u ka bërë thirrje ekipeve të saj që mos të pranojnë të luajnë nëpër terrene neutrale. Nga Valon Konushevci më 17 shtator 2011 në ora 13:11

Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) u ka dalë në mbrojtje klubeve të saj, të cilat ditëve të fundit po hasin në telashe të mëdha për t’i zhvilluar ndeshjet e tyre në kuadër të garave evropiane të organizuara nga Federata Evropiane e Hendbollit (EHF).

Në fakt, Prishtina e Kastrioti – femrat – dhe Besa Famiglia – meshkujt, kanë rënë në hall të madh. Ato ende nuk e dinë saktë se ku do t’i zhvillojnë ndeshjet përkatëse në garat evropiane në këtë sezon.

Arsye për këtë konfuzion është fakti se kundërshtarët e tyre vijnë nga vende të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës – si nga Rumania, e posaçërisht Ukraina e Bjellorusia – autoritetet e të cilave vende nuk i lejojnë ekipet kosovare të hyjnë në shtetet e tyre me pasaporta të Republikës së Kosovës.

Megjithatë, gjithçka mbetet në dorë të Federatës Evropiane të Hendbollit, e cila do të vendosë për vendin dhe kohën e zhvillimit të këtyre takimeve.

Mirëpo, FHK-ja u sugjeron skuadrave të saj mos të pranojnë që dy ndeshjet ndaj kundërshtarëve të tyre t’i zhvillojnë në qytete neutrale, vetëm pse u teket të tjerëve.

“FHK-ja përkrah klubet tona që ndeshjet t’i zhvillojnë sipas orarit të paraparë me kalendar, pra një ndeshje si vendas dhe një si mysafir, apo ndeshjet, në rastet më të rënda, të zhvillohen në Kosovë, por nuk do të përkrahen klubet të cilat pranojnë që dy ndeshjet t’i zhvillojnë në terrene neutrale, apo si mysafirë”, tha për Express, sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci.

Kastrioti, dy ndeshje në Rumani?

Për dallim prej Prishtinës – femrat – dhe Besa Famiglias – meshkujt – që po pengohen të hyjnë me pasaporta të Kosovës në Bjellorusi, përkatësisht në Ukrainë, Kastrioti – femrat – duket se do nuk do të pengohen për të hyrë në Rumani, ndonëse as shteti rumun ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet. Vashat e Ferizajt besojnë se të hënën do të pajisen me viza.

Madje, gjasat janë të mëdha që ekipi bardhekaltër të dyja ndeshjet t’i zhvillojë në Rumani, e asnjërën në Ferizaj. Madje, në ueb faqen zyrtare të Federatës Evropiane të Hendbollit, përkatësisht në kalendarin e garave, thuhet se Kastrioti dy ndeshjet ndaj HC Otelul Galati do t’i luajë më 8 dhe 9 tetor, me çka nënkuptohet se takimet mes tyre, sipas uebfaqes së EHF-së, do të zhvillohen në Rumani.

Këtë mundësi nuk e përjashton as kreu i Kastriotit, Valon Eshrefi. “Klubi i Rumanisë na ka ftuar t’i zhvillojmë dy ndeshjet në Rumani, gjatë ceremonisë së hedhjes së shortit. Ka mbetur për t’u shqyrtuar nga ana jonë kjo kërkesë e tyre, por një përgjigje definitive ende nuk ua kemi dhënë, sepse kemi edhe pak kohë në dispozicion për të menduar”, ka thënë Eshrefi.

Nëse Kastrioti pranon t’i luajë dy ndeshje si mysafir i ekipit rumun, ferizajaset nuk do të përkrahen fare nga Federata e Hendbollit e Kosovës. Këtë qëndrim e ka marrë Bordi i shtëpisë së hendbollit kosovar, të premten.

Shtyhet fillimi i sezonit të ri

Edicioni i ri në Superligën e Kosovës në hendboll nuk do të fillojë në këtë fundjavë, siç ishte e paraparë. Me kërkesë të disa klubeve të elitës së hendbollit kosovar, Bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), në mbledhjen e vet të mbajtur të premten, ka vendosur që sezoni i ri të shtyhet për një javë.

Trepça, Drita, Vëllaznimi dhe Drenica janë skuadrat që kishin bërë kërkesë në shtëpinë e hendbollit kosovar që sezoni i ri të nisë më 24 shtator. Situata e tensionuar në veri të Kosovës dhe punimet e vonshme që kanë nisur nëpër disa palestra sportive në vend, janë arsyet që e kanë detyruar FHK-në ta shtyjë për një javë fillimin e garave të reja.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›